Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Bashkimi Evropian lançuan nismën për modernizimin e kuadrit rregullator në fushën e mbrojtjes së të dhënave, nëpërmjet Projektit të Binjakëzimit “Mbështetje institucionit për përafrimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave personale me acquis e BE”. Nëpërmjet tij do të përafrohet në legjislacionin shqiptar Rregullorja e Përgjithshme e të Dhënave Personale 2016/679 (GDPR) dhe Direktiva e Policisë 2016/680.
Në ceremoninë e lançimit, e cila u zhvillua online, të ftuar nderi ishin z. Pasquale Stanzione, President i Autoritetit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Italisë, z. Zef Mazi, Kryenegociator i Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit në BE, znj. Adea Pirdeni, Zëvendësministre e Drejtësisë, z. Mario Mariani, Kreu i Zyrës së Bashkëpunimit në Delegacionin e BE në Shqipëri, znj. Jutta Gutzkow, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës, z. Alberto Petrangeli, Zëvendësambasador i Italisë dhe znj. Renate Seib, Zëvendësambasadore e Austrisë.
Komisioneri Dervishi në fjalën e tij theksoi se “sot ndodhemi në një moment hopi cilësor, ku Projekti i Binjakëzimit po vendos bazat më të fuqishme duke garantuar përafrim me Rregulloren e Përgjithshme – GDPR dhe ku Zyra e Komisionerit ka siguruar aderimin në parim të Shqipërisë në Konventën 108+ të Këshillit të Evropës. Demokracia është edhe më e bukur me të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe dinjitetin e njeriut”.
Kuadri i ri rregullator në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale përbën një kontribut të rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë. Ky Projekt Binjakëzimi mundëson që qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga modernizimi i legjislacionit në këtë fushë dhe përafrimin e standardeve me ato të BE.
Nga legjislacioni i ardhshëm individët do të kenë kontroll më të madh mbi procesin e përpunimit të dhënave. Risitë kryesore të tij paraqesin koncepte bashkëkohore, të cilat shkojnë paralelisht me zhvillimin e teknologjisë si mënyra të reja të dhënies së pëlqimit, e drejta për t’u harruar, koncepte të tjera inovative si transportimi i të dhënave, privatësia sipas parazgjedhjes dhe sipas modelit (privacy by default and by design) apo sanksione më të forta për shkeljet e ligjit. Përafrimi i kuadrit rregullator kombëtar me atë të BE – GDPR dhe Direktiva e Policisë, do të garantojë, gjithashtu, forcimin e rolit të Zyrës së Komisionerit për t’iu përgjigjur më mirë sfidave e problematikave të cenimit të privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Në takim, pjesëmarrësit vlerësuan koordinimin dhe bashkëpunimin efektiv të deritanishëm të të gjithë partnerëve dhe u theksua angazhimi për përfundimin në kohë e me cilësi të Projektit. Rezultati më i rëndësishëm është hartimi i një drafti të parë të konsoliduar për ligjin e ri të mbrojtjes së të dhënave personale në Shqipëri, ndërsa u prezantuan edhe fazat e mëtejshme të përmbushjes së Projektit.
Projekti i binjakëzimit po zbatohet nga Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (Garante per la Protezione dei Dati Personali), mbështetur nga CSI Piemonte në Itali dhe Instituti për të Drejtat dhe Liritë Themelore “Ludwig Boltzmann” në Austri.
Ceremonia e lançimit të Projektit të Binjakëzimit (video).