28 janari është Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Kjo datë përkon këtë vit me një moment historik për komunitetin e profesionistëve të privatësisë, pasi është 40-vjetori i Konventës “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale”, e njohur gjerësisht si Konventa 108 e Këshillit të Evropës.
Që prej 1981, kjo Konventë e rëndësishme përbën aktin e parë detyrues në hapësirën evropiane në këtë fushë. Shqipëria e ratifikon dokumentin duke e bërë pjesë të legjislacionit kombëtar në vitin 2004, nëpërmjet miratimit të ligjit nr. 9288.
Në vitin 2008, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me miratimin e ligjit nr. 9887 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” ngriti institucionin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Prej 2014, me hyrjen në fuqi të ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, autoriteti emërtohet Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në maj të vitit 2018 miratohet modernizimi i Konventës, duke e emërtuar atë Konventa 108+. Përmirësimet i përgjigjen sfidave të zhvillimit ekonomik, social e teknologjik të viteve të fundit. Modernizimi i saj ecën paralelisht me reformën rregullatore në Bashkimin Evropian, hyrjen në fuqi të Rregullores së Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) po në maj të vitit 2018.
Aktualisht janë 55 shtete që e kanë ratifikuar Konventën nga Evropa, Amerikat dhe Afrika. Prej 2007, 28 janari është vendosur të kremtohet si Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, ku në shumë vende të botës ajo njihet si Privacy Day.
Me rastin e këtij përvjetori Zyra e Komisionerit ka përgatitur një video ndërgjegjësuese (video).