3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Monitorimi i transparencës proaktive të institucioneve qendrore dhe të varësisë

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, ka realizuar monitorimin e nivelit të transparencës proaktive në 36 Autoritete Publike qendrore dhe të varësisë për vitin 2020. Prezantimi i gjetjeve të këtij monitorimi dhe diskutimi rreth problematikave të konstatuara u bë gjatë një seance dëgjimore online, me pjesëmarrjen e titullarëve, përfaqësuesve dhe koordinatorë të këtyre Autoriteteve Publike.

Monitorimi u bazua në 5 tregues vlerësimi: publikimi i Programit të Transparencës; publikimi i Regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve (për vitin 2020); të dhënat e koordinatorit për të drejtën e informimit; publikimi i të dhënave për buxhetin dhe planin e shpenzimeve (për vitin 2020); si dhe instalimi i Regjistrit elektronik për kërkesat dhe përgjigjet për të drejtën e informimit (REKPDI).

Programi i Transparencës, si një nga detyrimet kryesore të legjislacionit për të drejtën e informimit, është instrument i rëndësishëm që nxit llogaridhënien, përgjegjshmërinë dhe mirëqeverisjen e Autoriteteve Publike. Në këtë raport monitorimi të Zyrës së Komisionerit janë evidentuar mangësi, kryesisht për sa i përket publikimit të të dhënave për shpenzimet buxhetore, por edhe për mos përditësimin e Regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve (2020) apo instalimin dhe përdorimin e REKPDI. Nga ana tjetër, Autoritetet Publike, në përgjithësi, i kanë përmbushur detyrimet për publikimin e Programit të Transparencës dhe të të dhënave për koordinatorin. Zyra e Komisionerit u kërkoi të pranishmëve në takim që pas njohjes me gjetjet e raportit të marrin masa për përmirësimin e mëtejshëm të nivelit të transparencës proaktive.

Ky është raporti i dytë i monitorimit që ka kryer Zyra e Komisionerit për vitin 2020, ku i pari është realizuar për 61 njësitë e vetëqeverisjes vendore.