Zyra e Komisionerit në bashkëpunim me Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu” zhvilloi trajnimin me temë “E drejta e informimit dhe mbrojtja e të dhënave personale”. Ky ishte aktiviteti i dytë me Institucione të Arsimit të Lartë, i mbajtur nëpërmjet platformave të komunikimit online për shkak të situatës me pandeminë Covid-19.
Në trajnim u fol për legjislacionin e të dy fushave të veprimtarisë së institucionit, rolin dhe funksionet e Zyrës së Komisionerit, si dhe u njohën me raste praktike apo u shpjeguan me shembuj pyetjet/situatat e ngritura nga të pranishmit. Lektore në këtë aktivitet ishin znj. Elona Hoxhaj – Drejtor i Drejtorisë për të Drejtën e Informimit dhe znj. Pjerina Gaxha – Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në trajnim morën pjesë mbi 40 studentë nga profile dhe programe të ndryshme mësimore të universitetit dhe pjesëtarë të stafit akademik e atij administrativ. Zyra e Komisionerit parashikon të zhvillojë aktivitete trajnuese e ndërgjegjësuese dhe me Institucione të tjera të Arsimit të Lartë në vend.