Asambleja Globale e Privatësisë (GPA) mbajti punimet e Sesionit të Mbyllur Virtual 2020, në datat 13-15 tetor 2020. Zhvillimi i aktivitetit më të rëndësishëm të fushës në këtë formë u kushtëzuar nga situata me pandeminë COVID-19.
Më shumë se 200 përfaqësues të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë nga të gjitha kontinentet diskutuan për çështje me ndikim të gjerë në respektimin e të drejtave të qytetarëve si përdorimi i teknologjive të reja – identifikimi i fytyrës apo inteligjenca artificiale; për mbrojtjen e të dhënave në veprimtarinë humanitare, si dhe për funksionimin e organizatës e përshtatjen e rolit të saj në raport me zhvillimet më të fundit në këtë drejtim. Sesioni i Mbyllur miratoi këto rezoluta, për disa prej të cilave Autoriteti shqiptar ka dhënë kontributin e tij në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv dhe të Nën-komitetit të Drejtimit Strategjik të Asamblesë:
·Rezoluta mbi Teknologjinë e Njohjes së Fytyrës (Zyra e Komisionerit është bashkë-propozuese);
·Rezoluta mbi Rolin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale në Ndihmën Ndërkombëtare për Zhvillim, Ndihma Ndërkombëtare Humanitare dhe Menaxhimi i Krizës (Zyra e Komisionerit është bashkë-propozuese);
·Rezoluta mbi Llogaridhënien në Zhvillimin dhe Përdorimin e Inteligjencës Artificiale;
·Rezoluta mbi Deklaratat e Përbashkëta për Çështjet Globale që po lindin (Zyra e Komisionerit është bashkë-propozuese);
·Rezoluta mbi Sfidat e Privatësisë dhe Mbrojtjes së të Dhënave që po Lindin në Kontekstin e Pandemisë COVID-19 (Zyra e Komisionerit është bashkë-propozuese).
Sesioni i Mbyllur diskutoi gjithashtu edhe për veprimtarinë e Task Forcës së Asamblesë për mbrojtjen e të dhënave në situatën e pandemisë COVID-19, që drejtohet nga Autoriteti i Filipineve. Në rolin e koordinatorit kjo strukturë ka shkëmbyer informacion dhe praktikat më të mira, të cilat u janë rekomanduar institucioneve publike dhe sektorit privat për garantimin e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve. Edhe Zyra e Komisionerit iu bashkua kësaj nisme, duke publikuar 3 Udhëzues për këtë qëllim në periudhën mars-maj 2020. Në ditën e 3-të të punimeve të Sesionit të Mbyllur u diskutuan dhe u miratuan dokumente/raporte të tjera të hartuara nga Grupet e Punës së Asamblesë Globale të Privatësisë.
U zhvilluan dhe zgjedhjet për anëtarësinë e Komitetit Ekzekutiv, ku u konfirmua për një mandat të dytë znj. Angelene Falk, Komisionere e Austalisë, ndërsa u zgjodh rishtazi z. Ulrich Kelber, Komisioner Federal i Gjermanisë në vend të z. Raymund Enriquez Liboro, Komisioneri i Filipineve. Asambleja Globale e Privatësisë i shtoi radhët e saj edhe me 4 anëtarë të rinj Autoritetin e Privatësisë së Bermudeve, Avokatin e Popullit të Ishujve Kajman, Komisionerin e Mbrojtjes së të Dhënave të Qendrës Financiare Ndërkombëtare të Dubait dhe Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave të Kantonit të Bernës në Zvicër; ndërsa Organizata e Konsumatorëve Evropianë u pranua me statusin e vëzhguesit.