3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Sfidat dhe e ardhmja e “Regjistrit Elektronik të Kërkesave dhe Përgjigjeve për të Drejtën e Informimit”

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Fondacionin “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” zhvilluan një workshop me koordinatorët e të drejtës për informim të Autoriteteve Publike që janë pjesë e “Regjistrit elektronik të kërkesave dhe përgjigjeve për të drejtën e informimit”. Qëllimi i këtij workshop-i ishte prezantimi i ecurisë së këtij instrumenti gjatë vitit të parë të zbatimit, problematikat e hasura deri më sot në përdorimin e tij, si dhe sfidat e shtrirjes te të gjitha Autoritetet Publike shqiptare.

“Regjistri” i krijuar si databazë shtetërore të dhënash bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 145, datë 13.03.2018, i jep mundësinë qytetarëve adresimin në rrugë elektronike të kërkesës për informacion pranë Autoriteteve Publike dhe ankesave për refuzim të informacionit publik pranë Zyrës së Komisionerit, me synim lehtësimin e marrjes së informacionit nga ana e qytetarëve. Kjo risi u mundëson atyre efektivitet më të madh në ushtrimin e të drejtës për informim dhe nxit transparencën dhe llogaridhënien e Autoriteteve Publike. Ky sistem është formatuar në mënyrë të tillë që të sigurojë shpejtësi në ofrimin e informacionit publik, pa asnjë pagesë, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë të qytetarit apo grupeve të interesuara me koordinatorët e të drejtës për informim.

Që nga momenti i krijimit të tij, në sistem janë dërguar nga ana e qytetarëve dhe grupeve të interesit mbi 500 kërkesa për informim drejtuar Autoriteteve Publike dhe 145 ankesa pranë Zyrës së Komisionerit.