3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Takim me Zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, z. Fabio Massimo Castaldo

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi priti në një takim pune Zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, z. Fabio Massimo Castaldo. Në portofolin e përgjegjësive të tij janë të drejtat e njeriut dhe funksionimi i demokracisë.

Komisioneri Dervishi prezantoi shkurtimisht drejtimet dhe arritjet kryesore në veprimtarinë e Autoritetit. Monitorimi i zbatimit të ligjit “Për të drejtën e informimit” ka sjellë transformimin cilësor të situatës së transparencës së autoriteteve publike. Kjo punë sistematike është kontribut i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, një nga 5 prioritetet kyçe të Bashkimit Evropian për vendin tonë, në kuadër të procesit të integrimit. Në takim u diskutua dhe për fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, nivelin e kënaqshëm institucional e administrativ të Zyrës së Komisionerit, si dhe për standardet në legjislacionin shqiptar. Të pranishmit u njohën dhe me hapat në transpozimin e plotë të kuadrit të ri rregullator evropian – Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) dhe Direktiva e Policisë (2016/680), në legjislacionin kombëtar.

Zëvendëspresidenti Castaldo vlerësoi progresin e arritur dhe konsolidimin e rolit të institucioneve të pavarura, kontributin e tyre thelbësor në integrimin evropian të vendit. Në këtë kontekst, në kuadër të zbatimit të GDPR, ai theksoi rëndësinë e vendosjes së një balance mes zhvillimit ekonomik e social dhe respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve. “Kjo bëhet akoma edhe më sinjifikative, duke marrë në konsideratë veprimtarinë ekonomike në sektorë të caktuar që vendet e BE zhvillojnë në Shqipëri apo ku përfitues janë qytetarët evropianë” – theksoi z. Castaldo. Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian ofroi mbështetjen e tij për realizimin në të ardhmen të projekteve me interes integrimin evropian.