Portali “pyetshtetin.al” është një platformë interaktive komunikimi në shërbim të qytetarëve, në funksion prej tre vjetësh. Pjesë e tij është tashmë dhe “Regjistri elektronik i kërkesave dhe përgjigjeve për të drejtën e informimit”, aksesi në të cilin kryhet nëpërmjet një sistemi të thjeshtë, të shpejtë dhe pa pagesë.
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Fondacionin “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, zhvilluan një trajnim me koordinatorët dhe specialistët e teknologjisë së informacionit të Autoriteteve Publike ku është instaluar rishtazi ky sistem. Janë 20 institucione të pavarura, qendrore dhe të pushtetit vendor, përveç 7 të tillave ku po vijon pilotimi prej muajit mars 2018. Trajnimi kishte për qëllim njohjen me elementët teknikë dhe funksionimin e sistemit në praktikë. “Regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve” është ngritur me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 145, datë 13.3.2018, për të krijuar lehtësi në përmbushjen e detyrimeve të ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.
Nëpërmjet këtij sistemi çdo qytetar, organizatë e shoqërisë civile apo përfaqësues mediash, mund të ushtrojë të drejtën për të kërkuar çdo informacion me karakter publik.