3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Balanca mes të drejtave në legjislacionin shqiptar, takim rajonal në Korçë

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të Projektit të bashkëpunimit me Prezencën e OSBE në Shqipëri, organizuan në Korçë takimin “E drejta për informim dhe mbrojtja e të dhënave personale, njohja me detyrimet e ligjeve respektive”. Aktiviteti kishte për qëllim trajnimin e përfaqësuesve të institucioneve qendrore në nivel vendor, të organeve të vetëqeverisjes vendore, atyre të sistemit të drejtësisë, etj, me balancën ndërmjet dy të drejtave kushtetuese, në funksion të veprimtarisë së këtyre autoriteteve.

Në prezantimet e stafit të Zyrës së Komisionerit u trajtua zbatimi i detyrimeve të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Veçanërisht, iu kushtua vëmëndje Rekomandimit nr. 11/2016 të Komisionerit “Mbi respektimin e detyrimeve ligjore në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale nga organet e vetëqeverisjes vendore”, duke qënë se fusha e kompetencave të këtyre institucioneve prek një kategori të gjerë shërbimesh për qytetarët. Nëpërmjet njohjes me raste praktike, u soll në vëmëndje të të pranishmëve se vendimmarrja e Zyrës së Komisionerit është orientuar nga parimi i proporcionalitetit kur janë ndërthurur të dy këto të drejta. Nga ana tjetër, përmbushja e plotë e detyrimeve të legjislacionit në fuqi, nxit dhe forcon kulturën e transparencës dhe llogaridhënies së Autoriteteve Publike.