|

Forumi “Mbrojtja e të dhënave personale, sfidat e ligjit për biznesin”

Dhoma Amerikane e Tregtisë zhvilloi Forumin e Biznesit me temë “Mbrojtja e të dhënave personale, sfidat e ligjit për biznesin”. I ftuar në këtë takim ishte Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale z. Besnik Dervishi. E konceptuar si një tryezë e rrumbullakët, në këtë Forum u diskutua rreth zbatimit të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale nga sektori privat, për rolin e Autoritetit dhe sfidat kryesore të së ardhmes.

Z. Dervishi i njohu të pranishmit në tërësi me veprimtarinë e Zyrës së Komisionerit si organ mbikëqyrës, sidomos, duke i kushtuar vëmendje kompanive që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorë/fusha me ndjeshmëri të lartë në përpunimin e të dhënave personale. Në këtë kontekst, bashkëpunohet në organizimin e vazhdueshëm të aktiviteteve me karakter njohës, trajnues e ndërgjegjësues për biznesin. Zyra e Komisionerit vlerëson se niveli i përmbushjes së detyrimeve ligjore ka ardhur gjithnjë në rritje dhe nga ana tjetër, ka vullnet për përmirësimin e problematikave të konstatuara.

Hyrja në fuqi e Rregullores së Përgjithshme (GDPR) në BE dhe modernizimi i Konvetës 108 të Këshillit të Evropës në maj të 2018, janë dy akte të rëndësishme ligjore që së shpejti do të përafrohen edhe në kuadrin rregullator kombëtar. Risitë e tyre vendosin standarde më të larta, përgjegjshmëri të shtuar të biznesit dhe garantojnë siguri për mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë e qytetarëve.