Zyra e Komisionerit vlerësohet si institucioni më transparent për vitin 2018 nga Qendra “Res Publica”

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është vlerësuar si institucioni shqiptar më transparent për vitin e kaluar nga organizata e shoqërisë civile “Res Publica”. Ky është një vlerësim i rëndësishëm për veprimtarinë e institucionit dhe njëkohësisht, nxitje për përpjekjet e tij në konsolidimin e kulturës së përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së Autoriteteve Publike.

Qendra publikoi Raportin “E drejta e informimit 2018”, ku është analizuar dhe vlerësuar ecuria e përmbushjes së detyrimeve të ligjit 119/2014. Zyra e Komisionerit do t’i mbajë në konsideratë gjetjet e këtij Raporti në punën e saj. Organizata ndau edhe 5 çmime të tjera për transparencën sipas kategorive, ku Kolegji i Posaçëm i Apelimit u shpall fitues në atë të institucioneve kushtetuese dhe të pavarura; Ministria e Kulturës nga pushteti qendror; Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Prokuroria e Përgjithshme nga sistemi i drejtësisë; Bashkia Shkodër nga organet e vetëqeverisjes vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor nga institucionet e varësisë.