Zyra e Komisionerit pjesëmarrëse në Konferencën “Të drejtat e njeriut dhe drejtësia gjinore”

Në Konferencën shkencore kombëtare “Të drejtat e njeriut dhe drejtësia gjinore”, organizuar nga Fakulteti i Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, i ftuar për të marrë pjesë ishte dhe z. Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Aktiviteti kishte si synim njohjen me panoramën për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, me fokus të veçantë forcimin e barazisë gjinore dhe mbrojtjen e përkrahjen e kategorive të caktuara shoqërore. Në konferencë u prezantuan tematika dhe çështje që kanë të bëjnë me zhvillimet më të fundit në këto fusha brenda dhe jashtë Shqipërisë – përfshi edhe risitë në mbikëqyrjen efektive të të drejtës për informim, si dhe raportin që krijohet me legjislacionin kombëtar. Nëpërmjet debatit dhe shkëmbimit të eksperiencës synohet që kontributi akademik në këtë drejtim të zgjerohet, si në aspektin teorik ashtu edhe në atë praktik.

Zyra e Komisionerit vlerëson bashkëpunimin me Fakultetin e Drejtësisë, veçanërisht, me “Klinikën e Ligjit” për rritjen e ndërgjegjësimit qytetar. Në kuadër të modernizimit të sistemit rregullator në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale në Evropë – hyrja në fuqi e Rregullores së Përgjithshme (GDPR) dhe përmirësimi i Konventës 108 të KiE, Autoriteti mirëpret dhe fton rrethin akademik për të kontribuuar për standarde akoma edhe më të larta të legjislacionit shqiptar në këtë fushë.