Miratohet Protokolli për modernizimin e Konventës 108 të Këshillit të Evropës

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës miratuan sot më 18 maj 2018 Protokollin e modernizimit të Konventës “Për mbrojtjen e individëve nga procedimi automatik i të dhënave personale” të vitit 1981 (Konventa 108 e KiE). Ky dokument është instrumenti më i rëndësishëm ndërkombëtar me fuqi detyruese për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë e individit në hapësirën evropiane e më gjerë dhe është i hapur për t’u nënshkruar edhe nga shtete në kontinente të tjera.

Modernizimi i Konventës i përgjigjet sfidave të zhvillimit ekonomik, social e teknologjik dhe raportit që krijohet me përdorimin e ligjshëm të të dhënave personale. Ky modernizim ecën paralelisht me reformën e madhe rregullatore në Bashkimin Evropian – Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave, që hyn në fuqi në 25 maj 2018. Diskutimet dhe negociatat për modernizimin e Konventës kanë vijuar për 7 vjet me rradhë.

Miratimi i Protokollit (CETS No. 223) për modernizimin e Konventës u bë në mbledhjen e 128-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës të zhvilluar në Danimarkë – që është organizmi më i lartë vendimmarrës i organizatës. Prej datës 25 qershor 2018, gjatë punimeve të Sesionit të 3-të të Asamblesë Parlamentare, Protokolli do të jetë i hapur për t’u nënshkruar nga vendet që kanë ratifikuar Konventën 108. Këshilli i Ministrave u bën thirrje të gjithë palëve të përshpejtojnë procesin e adoptimit në legjislacionin kombëtar të këtyre ndryshimeve, për të krijuar standarde të unifikuara në garantimin e kësaj të drejte themelore të njeriut.

Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës prej vitit 1995. Kuvendi e ka adoptuar Konventën 108 dhe Protokollin shtesë në legjislacionin kombëtar nëpërmjet ligjeve nr. 9287 dhe nr. 9288 të datës 07.10.2004. Ndërsa, prej vitit 2008, me ligjin nr. 9887 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, është ngritur Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, institucioni përgjegjës për garantimin e kësaj të drejte kushtetuese.