Në portalin në internet të Këshillit të Evropës publikohet njoftim për shtyp me rastin e 10-vjetorit të krijimit të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në këtë publikim vlerësohet kontributi i Autoritetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, veçanërisht, bashkëpunimi me Këshillin e Evropës e më konkretisht, me Komitetin Konsultativ të Konventës 108 dhe Njësinë e Mbrojtjes së të Dhënave të KiE. Njëkohësisht, theksohet fakti që Zyra e Komisionerit do të jetë organizatore e Konferencës së Autoriteteve Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave, në 3-4 maj 2018. Në njoftim gjen pasqyrim përshëndetja e Presidentes së Komitetit Konsultativ të Konventës 108, znj. Alessandra Pierucci dhe ajo e Kreut të Zyrës së KiE në Shqipëri, z. Claus Neukirch.
Një nga aktivitetet më të rëndësishme të zhvilluara kohët e fundit falë bashkëpunimit mes Zyrës së Komisionerit dhe Këshillit të Evropës ishte seminari “Mbrojtja e privatësisë në media” zhvilluar në 5 dhjetor. Ai u fokusua tek balanca mes të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe ajo për të drejtën e informimit.