3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

“Debati etik: dinjiteti dhe respekti në epokën e të jetuarit bazuar tek të dhënat”

Me temë qendrore “Debati etik: dinjiteti dhe respekti në epokën e të jetuarit bazuar tek të dhënat – Debating Ethics: Dignity and respect in data driven life”, në datat 22-26 tetor 2018, zhvilloi në Bruksel punimet Konferenca e 40-të Ndërkombëtare e Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (ICDPPC). Këtë vit, Konferenca u bashkëorganizua nga Mbikëqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave (EDPS) dhe Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave të Bullgarisë (CPDP). Titullarë dhe përfaqësues të 119 Autoriteteve/Agjencive kombëtare dhe rajonale anëtare të Konferencës nga të gjitha kontinentet, si dhe nga 20 institucione e organizata të ndryshme ndërkombëtare në cilësinë e vëzhguesit, shqyrtuan zhvillimet kryesore në këtë fushë dhe ku duhet përqendruar fokusi për të ardhmen.

Sesioni i mbyllur u mbajt në dy ditët e para të punimeve të Konferencës dhe u diskutuan propozimet e Grupit të posaçëm të Punës për reformimin e këtij forumi, ku Zyra e Komisionerit ka kontribuuar në përgatitjen e njërit prej dokumenteve kryesorë. Po ashtu, u raportua  nga çdo Grup Pune për veprimtarinë 1-vjeçare dhe u prezantuan aktivitetet deri në Konferencën e ardhshme, ndërsa u zhvilluan takime informuese mes Autoriteteve anëtare të Rrjeteve të ndryshme të fushës. Tema të tjera qendrore ku u përqendrua vëmendja e organizatorëve ishin ato për “Etikën dhe mbrojtjen e të dhënave në përdorimin e inteligjencës artificiale” dhe “Ecuria e zbatimit të Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave në BE (GDPR)”. Në ditën e dytë të zhvillimit të punimeve të sesionit të mbyllur e mori fjalën edhe z. Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Tetorin e vitit të ardhshëm, edicioni i 41-të i Konferencës Ndërkombëtare zhvillohet në Tiranë, ku përgatitjet për këtë aktivitet u prezantuan në fjalën e tij.

Në dy ditët e sesionit të hapur është diskutuar më gjerësisht edhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga organizatat e shoqërisë civile, botës akademike dhe kompanive të sektorit privat, për etikën në procesin e përdorimit të të dhënave personale në ambientin digjital. Nëpërmjet eksperiencave konkrete u prezantuan risitë në këtë proces, i cili duhet të udhëhiqet nga transparenca dhe integriteti, si në aspektin rregullator ashtu edhe në atë teknik. Njëkohësisht, pjesë e diskutimit ishte bashkëpunimi mes agjencive ligj zbatuese për adresimin e problematikave të mprehta të konstatuara nga keqpërdorimi/përdorimi i të dhënave personale në rrjetet sociale. Prej 40 vjetësh, Konferenca Ndërkombëtare është platforma udhëheqëse botërore në politikbërje dhe në hartimin e standardeve për mbrojtjen e të dhënave personale.