Rritje e bashkëpunimit mes Zyrës së Komisionerit dhe Autoritetit homolog Italian

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mikpriti përfaqësues të Autoritetit Italian të Mbrojtjes së të Dhënave Personale – Garante per la Protezione dei Dati Personali. Vizita e kolegëve nga vendi fqinj u zhvillua në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në Romë, më 10 shkurt 2015, nga titullarët e institucioneve tona.

Rritja e nivelit të bashkëpunimit mes dy Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave ishte qëllimi kryesor i kësaj vizite, ndërsa është diskutuar edhe për hapa konkretë për zbatimin në praktikë të kësaj marrëveshje. Kjo vizitë shërbeu, njëkohësisht, edhe si një mundësi për shkëmbimin e ekperiencave më të mira në veprimtarinë inspektuese dhe me gjerë. Palët kanë identifikuar disa fusha me interes të përbashkët në këtë drejtim, me fokus të veçantë sektorin call center, ku shumë kompani italiane ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë. Pjesë e agjendës ishte dhe zhvillimi i një tryezë të rrumbullakët në nivel teknik, ku ishin të pranishëm përfaqësues të ministrive të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Mirëqenies Sociale dhe Rinisë; Zyra në Shqipëri e Agjencisë Italiane për Tregtinë me Jashtë; nga shoqatat e ndryshme të biznesit; si dhe prej kompanive që ushtrojnë aktivitetin në këtë sektor.