Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një trajnim me studentë dhe stafin akademik të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Ky aktivitet kishte për qëllim njohjen me kuadrin rregullator, duke i kushtuar vëmendje balancimit të dy të drejtave, si kusht për Autoritete Publike transparente e të hapura në punën e tyre dhe të përgjegjshme për respektimin e privatësisë së individit.
Stafi i Zyrës së Komisionerit mbajti prezantime ku i informoi të pranishmit me përmbajtjen e ligjit “Për të drejtën e informimit” dhe atij “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, si dhe me kompetencat e institucionit. Nëpërmjet rasteve praktike, studentët dhe stafi akademik, u njohën me rolin dhe funksionin e koordinatorit për të drejtën e informimit në procesin e trajtimit të kërkesave, me programin e transparencës së Autoriteteve Publike dhe me portalin pyetshtetin.al. Gjithashtu, u trajtuan edhe raste nga fusha e mbrojtjes së të dhënave personale, me fokus të posaçëm, përdorimin e sigurt të internetit dhe rrjeteve sociale. Të pranishmëve iu prezantua aplikacioni “IDP Ankesa”, si një instrument më shumë për ushtrimin e të drejtave nga qytetarët.
Takime të kësaj natyre janë zhvilluar më parë edhe në universitete të tjera publike të vendit, ku Zyra e Komisionerit synon dhe nxit rritjen e ndërgjegjësimit si për t’u informuar me dokumentet zyrtare, ashtu edhe për mbrojtjen e privatësisë.