3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Konferenca Evropiane e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale

Në Riga të Letonisë u zhvillua edicioni i 32-të i Konferencës Evropiane të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, njohur ndryshe si Spring Conference.

Ky është aktiviteti kryesor vjetor që mbledh së bashku autoritetet/institucionet homologe të kësaj fushe në kontinentin tonë, për të diskutuar dhe ndarë eksperiencat më të mira për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale të qytetarëve. Konferenca i zhvilloi punimet përgjatë 3 ditëve dhe ishte e organizuar në 6 panele kryesore. Fillimisht, pjesëmarrësit diskutuan mbi raste të vendimmarrjes së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (CJEU) dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Gjykata e Strazburgut-ECHR) dhe ndikimin e tyre në legjislacionin kombëtar të fushës së mbrojtjes së të dhënave personale. Tematika të tjera të përzgjedhura nga organizatorët kishin të bënin me përdorimin e teknologjve në përpunimin e të dhënave personale dhe domosdoshmërinë për të përmirësuar në vazhdimësi bazën rregullatore; mbrojtjen e të dhënave shëndetësore në epokën digjitale; forcimin e bashkëpunimit mes autoriteteve homologe; si dhe mbi ndërveprimin e kuadrit ligjor evropian (GDPR) me veprimtarinë në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave.

Zyra e Komisionerit, në këtë Konferencë, mbajti prezantimin me temë mbi “Sigurinë e të dhënave personale në Shqipëri dhe sfidat e digjitalizimit” në panelin kushtuar “Rolit të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave në përmirësimin e  kuadrit rregullator në epokën digjitale”.