OECD fton Zyrën e Komisionerit për të ndarë eksperiencën në fushën e të drejtës për informim si një prej praktikave më të mira ndërkombëtare

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u ftua nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), për të marrë pjesë në aktivitetin “Rritja e aksesit në informacion në Jordani: roli i institucioneve publike në zbatimin efektiv të kuadrit të ri rregullator”. OECD vlerësoi autoritetin shqiptar si model për t’u ndjekur dhe për përvojën dhe standardet e larta në fushën e të drejtës për informim, arsye për të cilën u përzgjodh, së bashku me autoritetin spanjoll për të drejtën e informimit, për të ndarë eksperiencën dhe praktikat më të mira në këtë fushë.

Aktiviteti u organizua nga OECD dhe Ministria e Kulturës dhe Këshilli i Informimit të Jordanisë, ku morën pjesë mbi 80 autoritete vendase me mbi 100 përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet qendrore, si ministritë e institucione të tjera kyçe në vend. Ky shtet është i parë që miratoi një ligj për të drejtën e informimit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, ndërsa prej prillit 2024 e ka përmirësuar akoma edhe më shumë atë.

Zyra e Komisionerit prezantoi një panoramë të kuadrit ligjor për të drejtën e informimit, funksioneve monitoruese dhe mbikëqyrëse të autoritetit, instrumentin e programit të transparencës në kuadër të transparencës proaktive të organeve të sektorit publik, si dhe veprimtarinë ndërgjegjësuese me fokus, bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe grupet e interesit.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet është dëshmi e kapaciteteve në rritje të Zyrës, por edhe e vlerësimit nga organizata ndërkombëtare si OECD, duke e cilësuar Zyrën e Komisionerit si një prej autoriteteve që ka vendosur një prej praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e të drejtës për informim, për të konsoliduar edhe më shumë kulturën e transparencës për institucione publike të përgjegjshme.