Me hyrjen në fuqi në vitin 2020, Konventa 205 “Për aksesin në dokumentet zyrtare” të Këshillit të Evropës, njohur ndryshe edhe si Konventa e Tromsøs, u bë instrumenti i parë ndërkombëtar ligjor detyrues që njeh të drejtën e qasjes në dokumentet zyrtare që mbahen nga autoritetet publike. Shqipëria e nënshkroi dhe e ratifikoi Konventën në vitin 2022, duke miratuar ligjin nr. 45/2022, i cili përcakton Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale si organin përfaqësues të Shqipërisë në Këshillin e Palëve.
Këshilli i Palëve është një nga dy organet të cilat monitorojnë zbatimin e Konventës. Ai përbëhet nga një përfaqësues nga çdo vend palë dhe ka rolin e organit vendimmarrës, i cili shqyrton opinione apo propozime që paraqiten nga Grupi i Specialistëve. Ky i fundit është organi i cili ka funksione më teknike, konkretisht me përgatitjen e opinioneve, shkëmbimit të eksperiencës për aspekte të ndryshme të aksesit në informacion, formulimin e propozimeve lidhur me zbatimin efektiv të Konventës, etj. Grupi i Specialistëve përbëhet nga 10 anëtarë të zgjedhur me një mandat 4-vjeçar, me të drejtën për rizgjedhje vetëm një herë.
Së fundmi, Shqipëria paraqiti kandidaturën për t’u bërë pjesë edhe si anëtare në Grupin e Specialistëve dhe pas zgjedhjeve të zhvilluara në takimin e 4-t të Këshillit të Palëve u shpall kandidatura fituese. Kjo tregon angazhimin dhe përpjekjet e vazhdueshme për arritjen e standardeve më të larta në fushën e të drejtës për informim të Shqipërisë, e cila bëhet pjesë e nivelit më të lartë të trupës së ekspertëve në Evropë për aksesin në informacion. Ky rol i ri e vendos Shqipërinë në zemër të lëvizjes evropiane për transparencë dhe do t’i japë mundësinë për të kontribuuar në zhvillimin e politikave të kontinentit tonë, por gjithashtu përthithjen e praktikave më të mira ndërkombëtare, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët e saj.