3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Pjesëmarrja e Zyrës së Komisionerit në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në edicionin e 30-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës (PNT30), në datat 6-9 nëntor 2024. Ky aktivitet shërbeu si një platformë informimi dhe ndërveprimi mes komuniteteve të biznesit dhe jo vetëm, për të krijuar ura bashkëpunimi mes tyre dhe institucioneve publike.

Pjesë e agjendës së këtij Panairi ishin edhe takime, seminare e trajnime për shkëmbimin e ideve dhe prezantimin e praktikave më të mira, ku në panelin me temë “Sistemi bankar në Shqipëri, sfidat e digjitalizimit” ishte e ftuar dhe Zyra e Komisionerit. Në të u trajtuan çështje me interes që kanë të bëjnë, kryesisht, me masat tekniko-organizative për ofrimin e garancive në përpunimin e sigurt të të dhënave personale nga shërbimet digjitale të këtij sektori. Kjo qasje do të rrisë ndërgjegjësimin, kulturën e transparencës dhe përgjegjshmërisë në ndërtimin e sistemeve funksionale. Nga ana tjetër, u nënvizua fakti se së shpejti pritet të finalizohet procesi i modernizimit të legjislacionit kombëtar në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale sipas standardeve të Bashkimit Evropian (GDPR). Po ashtu, të pranishmit theksuan edhe domosdoshmërinë për forcimin e dialogut dhe gjetjen e rrugëve të duhura mes komunitetit të biznesit dhe institucioneve publike për garantimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Njëkohësisht, Zyra e Komisionerit u përfaqësua përgjatë 4 ditëve të zhvillimit të Panairit edhe me një stendë të posaçme. Kjo pjesëmarrje kishte si qëllim promovimin e rolit ndërgjegjësues, njohjen e veprimtarisë dhe funksioneve të institucionit, si dhe ndërveprimin e drejtpërdrejtë me kategori e grupe të ndryshme interesi.