Në kuadër të 28 Janarit, Ditës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale z. Besnik Dervishi, ka zhvilluar një leksion të hapur me studentët e Institutit Kanadez të Teknologjisë (CIT).
Njohja me fushat e veprimtarisë së Zyrës së Komisionerit ishin temë e këtij leksioni.
Dervishi i njohu studentët me risitë e ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, risi këto që ecin paralelisht me zhvillimet teknologjike, digjitalizimin e shërbimeve dhe inovacionin. Ai theksoi se ligji i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi në ditët e para të muajit shkurt, garanton standardet më të larta, të përcaktuara në Rregulloren e Përgjithshme të BE-së “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” (GDPR). Megjithatë, nevojitet ndërgjegjësimi sidomos i të rinjve mbi rëndësinë e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Po ashtu, Komisioneri Dervishi bëri një përmbledhje mbi të Drejtën e Informimit, aksesin në informacion, angazhimin e Zyrës së Komisionerit për rritjen e transparencës, luftës kundër korrupsionit dhe llogaridhënies nga ana e autoriteteve publike, si dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, si elementë kyç në zbatimin e ligjit dhe progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian