Zhvillohet mbledhja plenare e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB)

Bordi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave (EDPB) zhvilloi mbledhjen e 102-të plenare.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u përfaqësua në këtë forum nga Komisioneri z. Besnik Dervishi si dhe nga Drejtorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale znj. Pjerina Mema.

Në këtë mbledhje bordi miratoi Deklaratën mbi Sigurimin e Moshës (AI) dhe vendosi të krijojë një grup pune për zbatimin e saj. Në këtë dokument bordi renditi dhjetë parime për përpunimin e të dhënave personale ku përcaktohet mosha ose diapazoni i moshës së një individi. Deklarata synon të sigurojë një qasje të qëndrueshme evropiane për sigurimin e moshës, me qëllim mbrojtjen e të miturve, duke respektuar parimet e mbrojtjes së të dhënave.

Kryetarja e këtij organizmi, znj. Anu Talus tha: “Sigurimi i moshës është thelbësor për të garantuar që fëmijët të mos kenë akses në përmbajtje që nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre. Parimet e paraqitura nga EDPB do të ndihmojnë industrinë të vlerësojë moshën e një individi në përputhje me parimet e mbrojtjes së të dhënave, duke mbrojtur mirëqenien e fëmijëve.”

Gjatë seancës plenare, EDPB miratoi gjithashtu rekomandimet për Kodin Botëror Anti-Doping të WADA 2027. Kur përpunohen të dhënat personale për qëllime anti-doping, është thelbësore të respektohen dhe të ruhen të dhënat personale të atletëve. Rekomandimet e EDPB adresojnë parimet kryesore të mbrojtjes së të dhënave, siç është nevoja për një bazë të përshtatshme ligjore për përpunimin e të dhënave personale dhe kufizimi i qëllimit. Rekomandimet adresojnë gjithashtu faktin që individët duhet të jenë plotësisht të informuar për përpunimin e të dhënave të tyre personale dhe mund të ushtrojnë në mënyrë efektive të drejtat e tyre.

Bordi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave është organizmi më i lartë i BE-së që miraton aktet për mbikëqyrjen e zbatimit të unifikuar të Rregullores së Përgjithshme të BE-së “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” (GDPR). Ky forum përbëhet nga titullarët e Autoriteteve kombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave të vendeve anëtare të BE-së. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është anëtare me statusin e vëzhguesit në këtë forum që nga viti 2016.