U zhvillua me sukses edicioni i gjashtë i konferencës ndërkombëtare “Recent Trends and Applications in Computer Science and Information Technology – RTA-CSIT 2025”, organizuar nga Departamenti i Informatikës së Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Në këtë aktivitet morën pjesë akademikë shqiptar dhe të huaj (University of Camerino, Italy, Lynn University, Florida, USA, Univeristeti i Tiranës) si dhe përfaqësues të institucioneve publike (Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, AKSK, Agjencia e Inovacionit dhe Ekselences,etj,) të cilët diskutuan mbi tendencat më të fundit në fushën e teknologjisë/inteligjenca artificiale dhe sigurisë digjitale.
Në ceremoninë e hapjes, përfaqësuesja e Zyrës së Komisionerit, znj. Pjerina Mema (Drejtore e Përgjithshme e Drejtorisë së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale) njoftoi ndër të tjera miratimin e ligjit të ri nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i përafruar plotësisht me Rregulloren e Përgjithshme të Bashkimit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) si dhe risitë e ligjit.
Ky ligj u vlerësua si një hap i rëndësishëm për forcimin e kuadrit ligjor në përballje me sfidat e epokës digjitale.
Zyra e Komisionerit theksoi se zhvillimi i teknologjise dhe inteligjencës artificiale (IA), megjithëse sjell përfitime të mëdha, shoqërohet edhe me rreziqe potenciale për privatësinë e subjekteve të të dhënave. U nënvizua rëndësia që sistemet e IA të respektojnë parimet e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, si transparenca, minimizimi i të dhënave, pëlqimi paraprak dhe sigurimi i të drejtave themelore të indivdit.
Gjithashtu, Zyra e Komisionerit vlerësoj iniciativat “Cyber-Drill Hackathon” dhe Shkolla Verore “Safe Digital EU”, të cilat kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit të të rinjve për çështje të sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Konferenca vijoi me diskutime të thelluara shkencore mbi ndikimin e teknologjive të reja në jetën moderne dhe nevojën për një ekosistem bashkëpunues ndërinstitucional për të garantuar sigurinë dhe të drejtat digjitale në të ardhmen.