Zyra e Komisionerit në tryezën e diskutimit të Konfindustria Albania për ligjin e ri të mbrojtjes së të dhënave

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në tryezën e organizuar nga Konfindustria Albania me temë “Korniza e re ligjore e privatësisë në Shqipëri: detyrimet, mundësitë dhe skenarët”.

Drejtorja e Kabinetit të Komisionerit, znj. Besa Velaj, njëherësh eksperte e hartimit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, si edhe e akteve nënligjore në zbatim të tij, prezantoi pikat kyçe të këtij ligji, risitë që sjell si dhe qasjen që duhet të  mbajnë kontrolluesit dhe përpunuesit e të dhënave personale.

Znj. Velaj në fjalën e saj theksoi se ligji nr. 124/2024, i përafruar tërësisht me Rregulloren e Përgjithshme të Bashkimit Evropian (GDPR) ka për qëllim të rregullojë mënyrat e përpunimit të të dhënave. Ajo vuri në dukje se etapat nëpër të cilat kaloi ky ligj deri në miratimin e tij i shërbyen Shqipërisë për të parë edhe eksperiencën e vendeve të BE-së.  Duke u ndalur te sanksionet administrative që parashikon Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, znj. Velaj u bëri apel kontrolluesve dhe përpunuesve të rrisin kulturën e mbrojtjes së të dhënave, ndërkohë që i ftoi ata të tregohen proaktivë ndaj mbrojtjes së të dhënave personale, pasi Zyra e Komisionerit në radhë të parë synon ndërgjegjësimin.

I ftuar në këtë tryezë ishte edhe zëvendësministri i drejtësisë, z. Tedi Dobi, i cili u shpreh se ky ligj vjen si rezultat i një pune të palodhur disa vjeçare dhe sjell harmonizimin e të gjitha interesave. Ai theksoi se përfshirja e botës së biznesit dhe sipërmarrjes është me rëndësi të posaçme, edhe në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Presidenti i Konfindustria Albania, z. Davide Rogai tha se sipërmarrësit Italo-shqiptarë duhet të mbështesin njëri-tjetrin dhe të marrin përgjegjësinë se si do të përdoren këto të dhëna, në mënyrë që të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi sa më të sigurt digjital.

Kreu i Zyrës së Tregtisë pranë Ambasadës Italiane në Shqipëri, z. Stefano Salmaso u shpreh se Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që po zbatohet tashmë në Shqipëri do t’u japë kompanive mundësinë të rrisin më tej besimin e konsumatorëve dhe të përmirësojnë marrëdhënien mes drejtuesve të shoqërive dhe konsumatorit.

Ligji i ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale u miratua në 19 dhjetor 2024 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe hyri në fuqi në shkurt të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe, Zyra e Komisionerit ka organizuar trajnime dhe tryeza diskutimi për të rritur kuptueshmërinë dhe ndërgjegjësimin për zbatimin e plotë të ligjit.