Zhvillohet mbledhja e 48-të Plenare e Komitetit Konsultativ të Konventës 108 në Strasburg

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi dhe Drejtorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave znj. Pjerina Gaxha, morën pjesë në punimet e Mbledhjes së 48-të Plenare të Komitetit Konsultativ të Konventës për mbrojtjen e individëve lidhur me përpunimin automatik të të dhënave personale (Konventa 108), të zhvilluara në Strasburg.

Në këtë mbledhje, u trajtuan çështje kyçe në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale në kontekstin e zhvillimeve teknologjike dhe juridike globale. Pikat kryesore të diskutimit përfshinë:

  • Rrjedhat ndërkufitare të të dhënave personale, me fokus te zbatimi i Klauzolave Kontraktuale Model (Model Contractual Clauses – MCC), vendet që i kanë miratuar ato, si dhe nevojat për zhvillimin e mjeteve të reja për të lehtësuar shkëmbimet ndërkombëtare të të dhënave. Sekretariati prezantoi gjithashtu një nisëm të re për një dialog shumëpalësh mbi transferimet e të dhënave.
  • Interpretimi i Nenit 11 të Konventës së modernizuar 108, që lidhet me kufizimet e mundshme të të drejtave për mbrojtjen e të dhënave, ku Komiteti shqyrtoi draft-udhëzimet përkatëse dhe u ftua të miratonte dokumentin për publikim.
  • Mbrojtja e të dhënave në kontekstin e Modeleve të Mëdha Gjuhësore (LLMs), ku u trajtuan rreziqet e privatësisë dhe përpunimit të të dhënave që burojnë nga përdorimi i teknologjive të avancuara të inteligjencës artificiale.

Komiteti mori gjithashtu në shqyrtim informacionin mbi bashkëpunimet ndërinstitucionale brenda Këshillit të Evropës, zhvillimet më të fundit në fushën e mbrojtjes së të dhënave në vendet pjesëmarrëse, si edhe projektet aktuale të bashkëpunimit në këtë fushë.

Gjatë këtij sesioni, përfaqësuesit e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës në Komitet, zgjodhën me votim  edhe Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Këshillit.

Pjesëmarrja në këtë tryezë të rëndësishme ndërkombëtare rikonfirmon angazhimin e Shqipërisë për të ndjekur standardet më të larta të mbrojtjes së të dhënave personale dhe për të qenë pjesë aktive në zhvillimet globale që ndikojnë drejtpërdrejt të drejtat e individëve në epokën dixhitale.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë