Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (PIPC) i Koresë së Jugut ishte mikpritës i edicionit të 47-të të Asamblesë Globale të Privatësisë, eventit më të rëndësishëm vjetor në fushën e mbrojtjes së të dhënave. Temë e këtij forumi global ishte “Inteligjenca artificiale në jetën tonë të përditshme – Çështjet e të Dhënave dhe Privatësisë”. Në këtë aktivitet morën pjesë 130 vende nga e gjithë bota.
Asambleja, trajtoi një gamë të gjerë çështjesh, të lidhura me sfidat e të dhënave personale dhe privatësisë në epokën e inteligjencës artificiale, si dhe hodhi idenë e krijimit të një kuadri qeverisës global për të dhënat personale dhe privatësinë, me qëllim që përparimet në teknologjinë e inteligjencës artificiale të mbeten të besueshme.
Në këtë forum global, u zgjodh me votim kryetari i ri i Asamblesë Globale të Privatësisë, komisioneri kanadez z. Philippe Duffresne, si edhe dy anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv, përkatësisht nga Autoriteti Gjeorgjian dhe ai Kanadez.
Gjatë punimeve të sesioneve të hapura, në 16-17 shtator, diskutimet e ekspertëve në panele të ndryshme, u fokusuan te transferimi ndërkombëtar i të dhënave dhe mbrojtja e të dhënave personale të fëmijëve, në kontekstin e inteligjencës artificiale, si nevojë për të përforcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në adresimin e këtyre çështjeve. Gjithashtu, u diskutua mbi ripërdorimin e të dhënave dhe ndikimi i inteligjencës artificiale, në shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe privatësisë, në shërbimet ligjore, inteligjenca artificiale prodhuese dhe privatësia etj.
Në datat 18-19 shtator, u mbajtën sesionet e mbyllura, ku u diskutuan një sërë raportesh temat e të cilave ishin:
Akreditimi i anëtarëve dhe vëzhguesve të rinj të Asamblesë Globale të Privatësisë, ndërtimi i kapaciteteve për DPA-të, raporti vjetor nga grupi i Berlinit (Grupi Ndërkombëtar i Punës për Mbrojtjen e të Dhënave në Teknologji), raporti nga Këshilli i Evropës dhe puna e Komitetit Konsultativ të Konventës për Mbrojtjen e Individëve në Lidhje me Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale (Konventa 108), raporti vjetor i Raportuesit Special të Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Privatësisë, raporti i Bankës Botërore, Rregulloret Globale, Marrëveshjet Institucionale dhe Seti i Mjeteve të Perspektivës së Autoriteteve të Tregut (GRIDMAP), si edhe raporti i Forumit Global të Rregullave të Privatësisë Ndërkufitare (CBPR).
U miratua rezoluta e paraqitur nga autoriteti kanadez mbi mbikëqyrjen kuptimplotë njerëzore të vendimeve, që përfshijnë sistemet e inteligjencës artificiale, rezoluta mbi mbledhjen, përdorimin dhe zbulimin e të dhënave personale për të paratrajnuar, trajnuar dhe përmirësuar modelet e IA-së, e paraqitur nga Zyra e Komisionerit Australian të Informimit.
Pjesëmarrësit, në këtë asamble patën mundësinë të eksplorojnë evolucionin e teknologjive të reja të inteligjencës artificiale, si dhe përfituan njohuri mbi çështjet komplekse, që sjellin këto inovacione.
Ky forum botëror përfshiu gjithashtu studime rastesh dhe praktikash më të mira duke inkurajuar kështu, ndarjen globale të njohurive dhe diskutimeve bashkëpunuese.