Në vijim të angazhimit të saj për garantimin dhe promovimin e së drejtës për informim, Zyra e Komisionerit po intensifikon përpjekjet për rritjen e kapaciteteve të koordinatorëve të së drejtës për informim në institucionet publike.
Në këtë kuadër, u zhvillua një trajnim online me koordinatorët e caktuar/ndryshuar rishtazi nga rreth 30 autoritete publike, duke synuar fuqizimin e rolit të tyre në zbatimin e legjislacionit për aksesin në informacionin publik.
Gjatë trajnimit, u trajtuan në mënyrë të detajuar detyrimet ligjore që lidhen me garantimin e së drejtës për informim, me theks të veçantë në publikimin dhe përditësimin e Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve. Një vëmendje e posaçme iu kushtua edhe përdorimit të Regjistrit Elektronik të Kërkesave dhe Përgjigjeve (REKPDI), përmes portalit pyetshtetin.al, si një instrument kyç për rritjen e transparencës dhe efikasitetit institucional.
Nëpërmjet një qasjeje interaktive, të bazuar në pyetje dhe diskutime konkrete, pjesëmarrësit u njohën me praktikat më të mira dhe mënyrat efektive të zbatimit të legjislacionit në përditshmëri.

Zyra e Komisionerit, në përputhje me Programin Vjetor të Punës, do të vijojë organizimin e trajnimeve periodike, duke kontribuar në forcimin e kulturës së transparencës dhe rritjen e llogaridhënies së autoriteteve publike ndaj qytetarëve.