Bashkëpunim rajonal dhe inovacion në të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi një takim tre-ditor pune, përkatësisht në datat 28-30 prill 2026, me pjesëmarrjen e delegacioneve të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të Kosovës dhe Agjencisë Kroate për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Aktiviteti u zhvillua në prani të Komisionerit z. Besnik Dervishi dhe Komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi të Kosovës, znj. Krenare Sogojeva Dermaku, të cilët vlerësuan bashkëpunimin ndërinstitucional si një element kyç për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe garantuan thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Në përputhje me agjendën, dita e parë e takimit nisi me vizitën zyrtare të delegacionit të Agjencisë Kroate për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AZOP) në ambientet e Zyrës së Komisionerit. Gjatë këtij takimi u zhvilluan diskutime mbi qasjet institucionale, prioritetet dhe përvojat përkatëse në zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke krijuar bazën për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve dhe përgatitjen e një angazhimi të përbashkët në kuadër të thirrjes së Komisionit Evropian “CERV-2026-DATA”.

Dita e dytë vijoi me takimin trepalësh me pjesëmarrjen edhe të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të Kosovës, ku diskutimet u përqendruan në konkretizimin e bashkëpunimit dhe avancimin e përgatitjes së një projekti të përbashkët.  Në këtë kuadër, pala kroate e përfaqësuar nga znj. Anamarija Mladinic prezantoi platformën “Olivia”, një mjet inovativ për mbështetjen e funksioneve të autoriteteve të mbrojtjes së të dhënave dhe ndërveprimin me publikun. U vlerësua si një praktikë e avancuar, me potencial për t’u adaptuar edhe nga Shqipëria dhe Kosova, në funksion të modernizimit të proceseve dhe rritjes së efikasitetit institucional.

Ndërsa dita e tretë e këtij takimi u fokusua në shkëmbimin e praktikave më të mira ndërmjet dy autoriteteve të Shqipërisë dhe Kosovës. Nga Zyra e Komisionerit u prezantuan disa prej instrumenteve dhe praktikave kryesore në të dyja fushat e përgjegjësisë Në fushën e së drejtës për informim, Drejtoresha e Monitorimit të Programeve të Transparencës, znj. Emerlinda Pema, prezantoi “Raportin e Vetëdeklarimit të Autoriteteve Publike mbi Zbatimin e Ligjit për të Drejtën e Informimit”, ndërsa inspektorët e zyrës sollën raste konkrete mbi shqyrtimin dhe zgjidhjen e ankesave. Në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, Drejtoresha e Ankesave dhe Harmonizimit, znj. Meri Kujxhija, prezantoi “Metodologjinë e Përllogaritjes së Masës së Sanksioneve Administrative”, e shoqëruar me raste konkrete të trajtuara nga inspektorët e drejtorisë përkatëse. Nga pala kosovare, z. Kushtrim Mustafa prezantoi praktikat dhe sfidat në përpunimin e të dhënave personale përmes sistemeve të vëzhgimit me kamera, duke sjellë një perspektivë të rëndësishme mbi përdorimin e teknologjisë dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.

Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e njohurive, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal, në funksion të zbatimit efektiv të legjislacionit dhe përmbushjes së standardeve evropiane në fushën e të drejtës për informim dhe e mbrojtjes së të dhënave personale.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë