Konferenca Evropiane e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave nga Antalia në Prishtinë

Konferenca Evropiane e Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, një nga forumet e rëndësishme ndërkombëtare në fushën e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave, zhvilloi punimet në Antalia, Turqi, në datat 5–8 maj 2026, me pjesëmarrjen e autoriteteve evropiane të mbrojtjes së të dhënave, organizatave ndërkombëtare, akademikëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi.

E organizuar nga Autoriteti Turk për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Konferenca shërbeu si një platformë për diskutimin e zhvillimeve më të fundit në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, sfidave të inteligjencës artificiale dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse.

Gjatë sesioneve të punës u trajtuan tema me rëndësi të veçantë, si ndërveprimi ndërmjet legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave dhe Aktit të Inteligjencës Artificiale të Bashkimit Evropian, mbrojtja e të dhënave shëndetësore, privatësia e fëmijëve në mjediset digjitale, roli i nëpunësit për mbrojtjen e të dhënave (DPO), si dhe sfidat juridike dhe etike që sjell zhvillimi i teknologjive të reja. Në kuadër të punimeve të Konferencës, u miratua me shumicë votash edhe projekt-rezoluta për krijimin e një nëngrupi bashkëpunimi brenda Konferencës Evropiane të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave.

Një moment i rëndësishëm i Konferencës ishte zgjedhja e anëtarëve të rinj të Grupit Drejtues (Steering Group), ku me shumicë votash u zgjodhën katër autoritete të reja: Kosova, Italia, Bullgaria dhe Guernsey. Përfshirja e Kosovës në këtë strukturë drejtuese u vlerësua si një zhvillim me rëndësi për rritjen e rolit dhe përfaqësimit të rajonit në forumet evropiane të mbrojtjes së të dhënave personale.

Po ashtu, pjesëmarrësit miratuan kandidaturën e Kosovës për organizimin e Konferencës Pranverore të vitit 2027, duke i besuar autoritetit kosovar organizimin e një prej aktiviteteve më të rëndësishme evropiane në këtë fushë. Ky vendim u konsiderua një vlerësim i besimit ndaj rolit aktiv të Kosovës në promovimin e standardeve evropiane të privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Në përfundim të punimeve, Konferenca riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe koordinimit ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse përballë sfidave të reja që sjell transformimi digjital, me fokus forcimin e standardeve evropiane të mbrojtjes së të dhënave personale dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve në epokën digjitale.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë