Përtej negociatave: Zyra e Komisionerit promovon transparencën dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile për integrimin në BE

Më 19 qershor 2026, u zhvillua Konferenca e Konventës Kombëtare për Integrimin Evropian me temë “Përtej Tryezës së Negociatave: Një Angazhim Kuptimplotë i Shoqërisë Civile për Anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, një forum i rëndësishëm dialogu mbi rolin e institucioneve dhe shoqërisë civile në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u përfaqësua në Panelin Tematik, “Ndërtimi i Besimit përmes Drejtësisë, Llogaridhënies dhe Transparencës”, nga znj. Ermelinda Pema, Drejtore e Monitorimit të Programit të Transparencës.

Gjatë panelit, ku u diskutua mbi pavarësinë dhe llogaridhënien e sistemit të drejtësisë, transparencën, të drejtën e informimit dhe besimin e publikut tek institucionet, përfaqësuesja e Zyrës së Komisionerit prezantoi përvojën e institucionit në bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe kontributin e tij në forcimin e transparencës dhe pjesëmarrjes publike.

Në këtë kuadër, u prezantuan tre tryeza të bashkëorganizuara me EMA-n, të zhvilluara në kuadër të një projekti që synon institucionalizimin e debatit publik dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe aktorëve jo-shtetërorë:

  • “Zbatimi i Ligjit të Ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Kontekstin e Negociatave për Kapitullin 23: Dialog me Shoqërinë Civile dhe Sektorin Privat” (15 korrik 2025);
  • “Adresimi i Sfidave në Zbatimin e së Drejtës për Informim: Mangësitë në Kapacitetet Institucionale, Refuzimet e Pajustifikuara dhe Pengesat Kryesore” (13 nëntor 2025);
  • “Rregullimi i Lobimit në Shqipëri: Forcimi i Transparencës, Sfidat në Zbatim dhe Koordinim, si dhe Standardet Evropiane” (22 maj 2026).

Po ashtu, znj. Pema ndau me pjesëmarrësit rekomandimet e dala nga tryezat e dialogut, të cilat lidhen me rritjen e kapaciteteve të administratës publike për klasifikimin dhe trajtimin e informacionit, forcimin e rolit të koordinatorëve për të drejtën e informimit dhe përmirësimin e mekanizmave të komunikimit me qytetarët.

Pjesëmarrja në këtë konferencë shërbeu si një mundësi për të ndarë përvojën institucionale, për të diskutuar sfidat aktuale në fushën e transparencës dhe të drejtës së informimit, si dhe për të forcuar bashkëpunimin me aktorët e shoqërisë civile në funksion të avancimit të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë