Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në takimin e 24-t vjetor të autoriteteve të mbrojtjes së të dhënave të Evropës Qëndrore dhe Lindore, të zhvilluar më 24-26 shtator 2026 në Zadar të Kroacisë. Institucioni u përfaqësua nga Drejtorja e Kabinetit, Besa Velaj, dhe Këshilltarja për Mediat, Joniada Koçi.
Takimi u çel nga drejtori i Autoritetit Kroat për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Zdravko Vukić, në cilësinë e mikpritësit, dhe presidenti i Autoritetit Polak për Mbrojtjen e të Dhënave, Mirosław Wróblewski. Fjalë kryesore mbajtën Mbikëqyrësi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave, Wojciech Wiewiórowski, prof. Paul Quinn nga Universiteti Vrije i Brukselit dhe Ana Tokhadze nga Këshilli i Evropës.
Programi vijoi me dy workshop-e paralele, ku i pari iu kushtua zbatimit të Hapësirës Evropiane të të Dhënave Shëndetësore (EHDS) dhe marrëdhënies së saj me rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale. Diskutimet trajtuan të drejtën e pacientëve për të parë e korrigjuar të dhënat e tyre shëndetësore, kontrollin mbi aksesin në dosjen elektronike dhe shkëmbimin e informacionit gjatë kujdesit shëndetësor ndërkufitar, përdorimi i të dhënave shëndetësore për kërkim shkencor etj.
Përfaqësueset e Zyrës së Komisionerit morën pjesë në workshop-in tjetër, atë kushtuar inteligjencës artificiale.

Ky takim përfshiu prezantime nga përfaqësues të Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave, Autoritetit Holandez për Mbrojtjen e të Dhënave, Këshillit të Evropës dhe botës akademike. Në fokus ishin vlerësimi i ndikimit në mbrojtjen e të dhënave, përgjegjshmëria që në projektimin e sistemeve me agjentë IA, metodologjitë për vlerësimin e rreziqeve ndaj të drejtave të njeriut dhe vlerësimi i ndikimit në të drejtat themelore. Ana Tokhadze prezantoi qasjet praktike HUDERIA dhe COBRA, ndërsa prof. Alessandro Mantelero prezantoi metodologjinë FRIA, mbi të cilën u bënë dhe ushtrime me raste konkrete.

Pjesëmarrja në këtë takim i shërbeu shkëmbimit të përvojave me autoritetet homologe dhe forcimit të ekspertizës së Zyrës së Komisionerit në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.