Stafi i Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe disa prej koordinatorëve me më shumë përvojë për të drejtën e informimit morën pjesë në një trajnim dyditor për trajnerët, të zhvilluar më 9 dhe 10 nëntor 2026 në Tiranë.
Nën drejtimin e dy eksperteve të Këshillit të Evropës, pjesëmarrësit thelluan njohuritë mbi standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin shqiptar, si dhe zhvilluan aftësitë për t’ua përcjellë këto njohuri profesionistëve të tjerë përmes trajnimeve.
![]() |
![]() |
Në trajnimin “Standardet ndërkombëtare dhe rregullat kombëtare mbi aksesin në informacion”, ekspertja ndërkombëtare Tetyana Oleksiyuk trajtoi të drejtën për të marrë informacion nga autoritetet publike dhe lidhjen e saj me lirinë e shprehjes.
Duke iu referuar Konventave të Tromsø dhe Aarhusit dhe vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ajo shpjegoi kur mund të kufizohet dhënia e informacionit, si vlerësohet interesi publik për publikimin e tij dhe si duhet të arsyetohet një refuzim.
Ndërsa ekspertja Nadia Petro Rusi prezantoi kuadrin ligjor shqiptar për lirinë e shprehjes dhe të drejtën e informimit. Përmes rasteve nga praktika shqiptare, pjesëmarrësit diskutuan si zbatohen kufizimet e së drejtës së informimit dhe si pasqyrohen standardet ndërkombëtare në shqyrtimin e kërkesave për informacion.
Një sesion tjetër iu kushtua metodologjisë së trajnimit, ku u diskutua si të përdorin raste konkrete dhe ushtrime praktike dhe si ta përshtatin përmbajtjen e trajnimeve sipas rolit të secilit grup, nga nëpunësit që trajtojnë kërkesat për informacion te profesionistët e drejtësisë, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe gazetarët.
Aktiviteti u organizua nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë në kuadër të projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe medias në Shqipëri” (PRO-FREX).

