Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një trajnim për përfaqësues të mediave audiovizive mbi zbatimin e ligjit nr. 124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Trajnimi u organizua me kërkesë të shoqërive mediatike dhe në të morën pjesë drejtues të departamenteve ligjore dhe të burimeve njerëzore, përgjegjës të teknologjisë së informacionit dhe drejtues të departamentit të shitjeve.
Besa Velaj, Drejtore e Kabinetit të Komisionerit dhe eksperte e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, drejtoi trajnimin. Ajo trajtoi përgjegjësitë që kanë shoqëritë mediatike në përpunimin e të dhënave personale, duke u ndalur te baza ligjore e përpunimit, afatet e ruajtjes, masat për sigurinë e të dhënave dhe dokumentimi i vendimmarrjes.

Një pjesë e trajnimit iu kushtua kushteve për zbatimin e përjashtimeve për qëllime gazetarie dhe dallimit ndërmjet përpunimit për këto qëllime dhe përpunimit të të dhënave në kuadër të veprimtarisë së zakonshme administrative të shoqërisë. Rastet praktike shërbyen për të diskutuar se si vlerësohen interesi publik, domosdoshmëria dhe proporcionaliteti i publikimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për të dhënat e të miturve, informacionin shëndetësor ose pamjet nga ngjarje tragjike.
Pjesëmarrësit ngritën pyetje për zbatimin e ligjit në punën e departamenteve që përfaqësonin dhe morën sqarime për rastet konkrete që paraqitën.