3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Mbrojtja e të dhënave personale në sektorin e pasurive të paluajtshme

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm (ASDO), me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Tiranë, organizuan aktivitetin e 4-t në kuadër të projektit “Siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave”. Në këtë tryezë njohëse dhe informuese morën pjesë përfaqësues nga subjekte fizike/tregtare që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Aktiviteti kishte si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe në harmoni me kuadrin specifik rregullator për sektorin e pasurive të paluajtshme. Zyra e Komisionerit u përfaqësua në këtë aktivitet me znj. Blerta Xhako, Drejtor i Drejtorisë së Çështjeve Juridike dhe Integrimit, e cila i njohu të pranishmit me rolin, funksionet dhe me veprimtarinë mbikëqyrëse të autoritetit.

Për të pranishmit referoi eksperti i fushës, z. Emirjon Marku, i cili kombinoi trajtimin e legjislacionit në fuqi dhe risitë në kuadër të përafrimit të tij me acquis të Bashkimit Evropian (GDPR). Nëpërmjet shembujve praktikë, të pranishmit u njohën me parimet dhe kriteret e përpunimit të ligjshëm të të dhënave personale, katalogun e të drejtave të qytetarëve dhe me përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni i posaçëm për shërbimet e ndryshme që ofron ky sektor. Në epokën digjitale, përpunimi korrekt i të dhënave personale është i ndërlidhur me krijimin dhe përditësimin e mekanizmave të duhura për sa i përket sigurisë së pajisjeve dhe sistemeve. Ndaj, është shumë e rëndësishme të kuptohet se zbatimi i masave të domosdoshme tekniko-organizative, sidomos në krijimin e një mjedisi digjital/kibernetik të sigurt, ndikon në parandalimin apo minimizimin e rasteve të cenimit të të dhënave personale të qytetarëve.