Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në Takimin e 2-të të Punës të Rasteve të Veçanta (Case Handling Workshop-CHW). Ky takim u organizua nga Autoriteti Federal për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Gjermanisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga mbi 20 institucione homologe evropiane.
Në fokus të diskutimeve e shkëmbimit të eksperiencave në këtë takim ishin ngjashmëritë ligjore dhe mbikëqyrja e zbatimit të kuadrit rregullator, ashtu si edhe raste praktike. Përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit prezantuan 2 çështje me ndjeshmëri të lartë në Shqipëri si “Transparenca proaktive efektive e Autoriteteve Publike” dhe “Informacioni publik në çështjet gjyqësore”. Pjesëmarrësit në takim patën pyetje të shumta rreth këtyre temave. I ftuar i nderit në aktivitet ishte dhe një përfaqësuesi i organizatës jo fitimprurëse në Gjermani “Open Knowledge Foundation”, i cili ndau me të pranishmit eksperiencën e platformave elektronike dhe fushatave të shoqërisë civile për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve ndaj të drejtës për informim publik.
Ushtrimi i të drejtës për informim nga qytetarët, organizatat e shoqërisë civile apo dhe medias ka ndikuar në rritjen dhe përmirësimin e përgjegjshmërisë së autoriteteve publike ndër vite. Nga ana tjetër, shkëmbimi i përvojave në takime të kësaj natyre nxit zgjerimin e njohurive dhe praktikave, në funksion të forcimit të kulturës së transparencës.