3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Rekomandime për sektorin bankar dhe atë financiar jo-bankar

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në zbatim të ligjit Nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, ka realizuar hetime administrative në sektorin e “Bankave të Nivelit të Dytë” dhe në atë të “Shoqërive Kursim-Krediti dhe Unioneve të tyre”. Këto subjekte, në kuptim të ligjit të sipërpërmendur janë kontrollues dhe kanë detyrimin të zbatojnë të gjitha dispozitat ligjore.

Këto institucione janë ndër kontrolluesit më të fuqishëm përsa i përket sasisë, larmisë së infomacionit personal dhe kategorive të subjekteve, të cilëve u përpunohen këto të dhëna dhe ky proces ka impakt të rëndësishëm e të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Gjithashtu, Zyra e Komisionerit e vlerëson si mjaft të rëndësishme edhe ruajtjen e konfidencialitetit në sektorin bankar dhe në atë financiar jo-bankar.

Këto hetime administrative nga Zyra e Komisionerit janë realizuar mbi bazë ankesash nga qytetarë, por edhe kryesisht. Gjatë realizimit të këtyre procedurave janë evidentuar disa problematika në marrëdhëniet e këtyre institucioneve me klientët, por edhe me palë të treta. Për këto arsye, Zyra e Komisionerit ka vendosur t’u rekomandojë rast pas rasti subjekteve kontrolluese në sektorin bankar dhe atë financiar jo-bankar, një seri ndryshimesh konkrete proceduriale, për përmbushjen e dispozitave të ligjit Nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i ndryshuar.

Njëkohësisht, në lidhje me konstatimet e verifikuara Zyra e Komisionerit i ka rekomanduar edhe Bankës së Shqipërisë, në cilësinë e organit mbikqyrës të drejtpërdrejtë të sektorit bankar dhe atij financiar jo-bankar, të monitorojë zbatimin e dispozitave të ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.