|

ZBATIMI I PROJEKTIT

Projekti i Binjakëzimit përbëhet nga 3 komponentë, përfshirë 1 vizitë studimore.

Komponenti 1 – Përafrimi i legjislacionit kombëtar me GDPR dhe Direktivën e Policisë

Ky komponent synon të ofrojë mbështetje për harmonizimin e legjislacionit kombëtar me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR) dhe Direktivën e Policisë.

Nën-rezultatet specifike janë si më poshtë:

  • Rishikimi dhe analiza krahasuese e ligjit shqiptar në fuqi mbi mbrojtjen e të dhënave personale (ligji 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar) me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave Personale 2016/679 dhe Direktivën e Policisë 2016/680;
  • Prezantimi i gjetjeve paraprake përpara grupeve kryesore të interesit dhe hartimi i rekomandimeve;
  • Hartimi i strategjisë për përafrimin e kuadrit ligjor shqiptar mbi mbrojtjen e të dhënave personale me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave personale dhe Direktivën e Policisë;
  • Ndryshimi i legjislacionit kombëtar në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Direktivën e Policisë;
  • Hartimi i akteve nënligjore në zbatim të ligjit të ri.

Komponenti 2 – Ndërtimi i kapaciteteve për zbatimin e kuadrit të ri ligjor mbi mbrojtjen e të dhënave personale

Ky komponent ka për qëllim t’i ofrojë Zyrës së Komisionerit njohuritë dhe instrumentet organizative për të trajtuar sfidat e mundshme në lidhje me zbatimin e kuadrit të ri ligjor mbi Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Shqipëri. Ky komponent bazohet në tre shtylla kryesore:

  • Trajnimi i stafit të Zyrës së Komisionerit mbi kuadrin e GDPR;
  • Rritja e kapacitetit administrativ të Zyrës së Komisionerit për të menaxhuar kuadrin e ri ligjor mbi mbrojtjen e të dhënave personale;
  • Ofrimi i njohurive të nevojshme dhe praktikave më të mira stafit të Zyrës së Komisionerit, në lidhje me GDPR në fuqi.

Komponenti 3 – Rritja e ndërgjegjësimit tek kontrolluesit dhe përpunuesit në mënyrë që të sigurohet që ata të veprojnë në përputhje me Ligjin e ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Aktivitetet e ndërgjegjësimit me kontrolluesit dhe përpunuesit në mënyrë që të sigurohet që ata të veprojnë në përputhje me Ligjin e ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, do të realizohen gjatë të gjithë projektit, si një aktivitet horizontal.

Ky Komponent ka për qëllim të ofrojë, në një format të strukturuar, të gjitha njohuritë dhe përditësimet e fundit në lidhje me ligjin e ri shqiptar për mbrojtjen e të dhënave personale.

Objektivi specifik është të rrisë ndërgjegjësimin mbi Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të ilustrojë risitë. Për këtë qëllim, do të organizohen takime, evente dhe trajnime të grupeve të veçanta në fokus, ku do të jenë të ftuar aktorë të ndryshëm nga sektori publik, privat dhe shoqëria civile.