Sweep Privacy GPEN identifikon mangësi në aplikacionet IoT

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë për herë të parë këtë vit në operacionin Sweep Privacy GPEN. Ky projekt ka kontrolluar pajisje/aplikacione që përdoren në rrjete IoT (Internet of Things – Interneti i Gjërave). Ai u realizua gjatë muajit prill 2016, njëkohësisht nga 25 Agjenci Ligjzbatuese për Privatësinë në mbarë botën dhe u udhëhoq nga Autoriteti Britanik i të Drejtës për Informim dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale (ICO).

Zyra e Komisionerit kontrolloi 3 aplikacione për smartphone (telefonë të zgjuar) të kontrolluesve shqiptarë dhe një pajisje IoT (fitness tracker – gjurmues fitnesi) të një kontrolluesi jashtë territorit tonë. Rezultatet janë përpiluar sipas një formulari me 34 pyetje të ndara në 5 treguesë (indikatorë) që vlerësojnë politikat e privatësisë. Njëri prej aplikacioneve (kontrollues shqiptar) ka mangësi serioze në 4 prej këtyre treguesve:

  • shpjegime për grumbullimin/përpunimin dhe përhapjen e të dhënave;
  • arkivimin dhe masat e sigurisë;
  • kontaktet në rastet e shfaqjes së problematikës me privatësinë;
  • si realizohet shkatërrimi i të dhënave.

Ndërsa, tre aplikacionet e tjera kanë më shumë informacione në politikat e privatësisë, por kanë elementë që duhen përmirësuar, për t’u ofruar konsumatorëve garanci në përpunimin e drejtë të të dhënave të tyre personale.

Informacioni i përftuar pas kontrollit të 314 pajisjeve/aplikacioneve në shkallë botërore është paraqitur në Raportin përfundimtar, ku të dhënat kryesore janë:

  • 59% nuk japin informacion për përdorimin e të dhënave;
  • 68% nuk japin informacion për ruajtjen e të dhënave;
  • 72% nuk japin informacion për fshirjen e të dhënave;
  • 38% nuk japin kontakte për komunikimin e problemeve të privatësisë;
  • 43% e kompanive nuk dhanë përgjigje në kohë, të përshatshme dhe të qarta.

Shqetësim përbëjnë edhe pajisjet mjekësore të cilat raportojnë të dhëna nëpërmjet e-mail-eve të pakoduara. Autoritetet e Mbrojtjes së të Dhënave Personale do të marrin në konsideratë mundësinë e vendosjes së sanksioneve për çdo pajisje apo shërbim, që nuk kanë respektuar detyrimet ligjore.

Zyra e Komisionerit, si pjesë e rrjetit GPEN, do t’i bashkohet në të ardhmen nismave të tjera për mbikqyrjen e kontrolluesve për përmbushjen e detyrimeve të parashikuara në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale. Gjithashtu, i rëndësishëm është edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të qënë të informuar se çfarë ndodh me të dhënat e tyre personale.

Raporti (shqip / anglisht) dhe Përmbledhjen e Rezultateve (shqip / anglisht).

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë