3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Dita Ndërkombëtare e të Drejtës për Informim, takim i hapur me nxënësit e shkollave të mesme të Tiranës

Sot në “Ditën Ndërkombëtare të të Drejtës për Informim” u mbajt në mjediset e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë aktiviteti ndërgjegjësues me pjesëmarrjen e nxënësve dhe mësuesve të shkollave të mesme të kryeqytetit. I bashkë-organizuar nga Kuvendi, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Prezenca e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës, takimi u zhvillua në formatin e diskutimit të hapur për njohjen e të rinjve me një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të drejtën e informimit, e sanksionuar në nenin 23 të Kushtetutës.

Znj. Vasilika Hysi, Nënkryetare e Kuvendit, në fjalën e saj nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në të tilla takime. “Ju keni të drejtën të informoheni për të gjitha ligjet që ne miratojmë, e drejta juaj lind që në momentin që nisma ligjore iniciohet dhe ju ftoj që të mund ta ushtroni këtu në Kuvend. Ju keni të drejtë të dëgjoheni dhe të jepni mendimin për projektligjet. Për të gjitha projektligjet, që ndikojnë në jetën tuaj, si të rinj, por edhe të familjarëve tuaj” – tha znj. Hysi.

Z. Besnik Dervishi, në këtë takim prezantoi ligjin 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, rolin dhe veprimtarinë e Zyrës së Komisionerit. Duke theksuar simbolikën e kësaj date, ai vlerësoi se “ky akt rregullator garanton njohjen e publikut me informacionin zyrtar, duke rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë e Autoriteteve Publike. Nga ana tjetër, ligji ndërgjegjëson dhe nxit qytetarët për ushtrimin në praktikë të kësaj të drejte, si një nga instrumentet për llogaridhënien e institucioneve shtetërore”. Komisioneri i ftoi gjimnazistët të jenë sa më aktivë dhe pjesëmarrës nëpërmjet nismave të ndryshme, pjesë e aktiviteteve shkollore, në promovimin e të drejtës për informim.

Aktivitetin e përshëndeti edhe përfaqësuesi i Prezencës së OSBE në vendin tonë, z. Claudio Pala, i cili tha se ky takim është shprehje e angazhimit për transparencë nga institucionet shqiptare. “Kjo e drejtë është e rëndësishme për demokracinë, duke rritur kontrollin e qytetarëve apo shoqërisë civile në vendimmarrjen e organeve shtetërore. Ju ftoj të ngrini zërin dhe të informoni edhe të tjerët për këtë të drejtë vitale” – tha z. Pala.

28 Shtatori është vendosur si “Dita Ndërkombëtare e të Drejtës për Informim”. Që prej vitit 2002 Autoritete homologe apo organizata të shoqërisë civile organizojnë aktivitete për promovimin e kësaj të drejte.