Në vijim të procesit të hartimit të akteve nënligjore në zbatim të Ligjit nr. 12/2026 “Për Lobimin në Republikën e Shqipërisë”, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me mbështetjen e ekspertëve të Këshillit të Evropës (KiE), ka përfunduar hartimin e paketës së projektakteve nënligjore që do të mundësojnë zbatimin efektiv të ligjit.
Paketa përfshin projektakte që rregullojnë procedurat e regjistrimit në Regjistrin e Lobimit, administrimin dhe publikimin e tij, raportimin e veprimtarisë së lobimit, verifikimin e të dhënave, administrimin e dokumentacionit, konfliktin e interesit, Kodin e Sjelljes për Lobistët, si dhe aktivitetet informuese dhe ndërgjegjësuese në fushën e lobimit.
Në përputhje me parimet e transparencës, gjithëpërfshirjes dhe konsultimit publik, projektaktet janë publikuar në faqen zyrtare të institucionit, në seksionin “Njoftimi dhe Konsultimi Publik”, dhe mund të konsultohen në këtë lidhje: Projekt Akte të Zyrës së Komisionerit.
Procesi i konsultimit publik do të jetë i hapur deri më 4 shtator 2026, periudhë gjatë së cilës institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile, media, komuniteti i biznesit, ekspertët dhe çdo palë tjetër e interesuar ftohen të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre.
Kontributet e paraqitura gjatë konsultimit publik do të shqyrtohen dhe, sipas rastit, do të reflektohen në versionin përfundimtar të akteve nënligjore përpara miratimit të tyre.
Zyra e Komisionerit shpreh mirënjohjen për mbështetjen e ofruar nga Këshilli i Evropës gjatë procesit të hartimit të projektakteve dhe mirëpret kontributin e të gjitha palëve të interesuara në procesin e konsultimit publik.