Sot, me datë 19 Janar 2015 Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një seancë dëgjimore me Autoritetet Publike të Prokurorisë së Përgjithshme, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ne lidhje me ankesën e depozituar nga Qendra “Res Publica” mbi “Refuzimin e dhënies se informacionit në lidhje me numrin e personave të vendosur nën përgjim për periudhën 01.01.2014 – 31.10.2014”. Qendra “Res Publica” i është drejtuar më parë këtyre institucioneve për të marrë një përgjigje mbi numrin e këtyre përgjimeve. Autoritetet publike kanë refuzuar të japin informacionin e kërkuar duke argumentuar se klasifikohet sekret shtetëror.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale pasi është njohur me ankesën, ka çmuar të ftojë në seancë dëgjimore përfaqësuesit e Institucioneve Shtetërore si dhe ankuesit për të dëgjuar mbi pretendimet e palëve përpara se të dalë me një vendimin përfundimtar.
Gjithashtu, ditën e sotme Zyra e Komisionerit ka zhvilluar seanca dëgjimore me kontrolluesit “Agjencia Shqiptare e Punësimit”, “Idra Research & Consulting” dhe “Lotto Sport” për të cilët prezumohet se janë konstatuar shkelje të ligjit nr. 9887 datë 10/03/2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i ndryshuar.