|

E drejta për informim, bashkëpunimi me SIGMA

Zyra e Komisionerit zhvilloi sot një takim pune me përfaqësues të SIGMA (Support for Improvement in Governance and Management – Mbështetje për Përmirësimin e Qeverisjes dhe Menaxhimin), organizëm i OECD (Organisation for Economic Co-operation and Development – Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin).

Zyra e Komisionerit bëri një panoramë përmbledhëse të punës së institucionit që prej hyrjes në fuqi të ligjit të ri nr. 119/2014 “për të Drejtën për Informim” në vjeshtën e vitit të shkuar, me numrin e madh të ankesave, procedurën e trajtimit të tyre, vendimmarrjen, etj. Gjatë takimit një vëmendje e veçantë iu kushtua sidomos fushatave informuese nga ana e Zyrës së Komisionerit, si një nga instrumentat më të rëndësishëm për ndërgjegjësimin e publikut për ushtrimin e kësaj të drejte kushtetuese.

Palët kanë diskutuar edhe për mundësinë e hartimit dhe realizimin e një projekti të përbashkët gjatë vjeshtës së këtij viti. Ky projekt do të ketë në fokusin e tij rritjen dhe konsolidimin e kapaciteteve administrative të Zyrës së Komisionerit, nëpërmjet ofrimit të ekspertizës së SIGMA, në drejtim të standardeve dhe praktika më të avancuara, për njohjen e plotë të publikut me të Drejtën për Informim dhe zbatimin e legjislacionit të kësaj fushe nga Autoritetet Publike.