Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros, zhvilluan tryezën e rrumbullakët “Nxitja e bashkëpunimit për një zbatim sa më efektiv të së drejtës për informim”. Në të ishin të ftuar përfaqësues të organizatave të ndryshme të shoqërisë civile, me të cilët u diskutua për format dhe mënyrat ku OjF mund dhe duhet të ndikojnë për zbatimin e ligjit “Për të drejtën e informimit”.
Z. Besnik Dervishi vlerësoi maksimalisht në këtë takim nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit të Zyrës së Komisionerit me aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile, ndërsa, shprehu gatishmërinë për intensifikimin e tij në të ardhmen. Komisioneri, shkurtimisht, i njohu të pranishmit me gjetjet dhe problematikat gjatë zbatimit të ligjit. Programet e transparencës dhe forcimi i rolit të koordinatorit për të drejtën e informimit në procesin e trajtimit të kërkesave, janë ndër drejtimet kryesore të punës për t’u përmirësuar nga Autoritetet Publike.
Në takim u diskutua edhe u nda eksperienca e përfituar nga Zyra e Komisionerit gjatë monitorimit të zbatimit të detyrimeve ligjore, si dhe nga rastet e ankesave të shqyrtuara deri tani. Gjithashtu, u trajtua edhe çështja e unifikimit të praktikës së vlerësimit se kush duhet të cilësohet Autoritet Publik, funksionimi i tyre i brendshëm dhe procedurat që ata ndjekin. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shoqërisë civile sollën përvojën në zbatimin e kësaj të drejte në këndvështrimin e tyre.
Në tryezë shkëmbyen ide për nxitjen e mëtejshme dhe rritjen e transparencës nga institucionet shtetërore. Pjesëmarrësit folën për mundësitë konkrete të bashkëpunimit, në të ardhmen me Zyrën e Komisionerit, për realizimin e objektivit të përbashkët të zbatimit në praktikë të të drejtës për informim. Të pranishmit u njohën edhe me nismat që po zbatojnë OjF të ndryshme në këtë fushë, ndërsa u ftuan nga Fondacioni Soros të aplikojnë për më shumë projekte.