“Indekset e transparencës proaktive”  Zyra e Komisionerit realizon vlerësimin vjetor të autoriteteve publike

Për të pestin vit me rradhë, Zyra e Komisonerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale publikon dy dokumente të rëndësishme në funksion të procesit monitorues të autoriteteve publike, përkatësisht “Indeksin e transparencës proaktive të institucioneve qendrore dhe të varësisë” dhe “Indeksin e transparencës proaktive të njësive të vetëqeverisjes vendore”.

Zyra e Komisionerit vlerëson se autoritetet publike kanë hyrë në një fazë të re me një më qasje më serioze dhe më sistematike në përmbushjen e detyrimeve të legjislacionit për të drejtën e informimit. Për hartimin e “Indekseve” është zbatuar një metodologji bazuar në matjen e 12 treguesve, nëpërmjet të cilëve është vlerësuar niveli funksional dhe objektiv i transparencës proaktive për 355 autoritete publike të pavarura, qendrore dhe të varësisë, të sistemit të drejtësisë, bashki e këshilla qarqesh, etj.

Përditësimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i Programit të Transparencës vendos në një nivel tjetër marrëdhënien e institucioneve me qytetarët apo grupet e interesit dhe përbën formën parësore të komunikimit dhe njohjes me veprimtarinë e tyre. Duke marrë në konsideratë volumin e informacionit/dokumentacionit me karakter publik që duhet publikuar, Zyra e Komisionerit ka nxitur gjithnjë mënyrat më praktike dhe të shpejta të dhënies së tij. Në këtë kontekst, një Program Transparence i plotë krijon premisën fillestare për besimin e qytetarit në veprimtarinë e autoritetit publik.

Ky ushtrim i përvitshëm tregon edhe një herë se roli monitorues dhe mbikëqyrës i Zyrës së Komisionerit për konsolidimin e transparencës proaktive ka sjellë rezultate konkrete. Të dhënat  e “Indekseve” edhe pse inkurajuese, megjithatë, duhet të vlerësohen me sy kritik në radhë të parë nga autoritetet publike, duke qënë se ka mundësi reale që transparenca proaktive të konsiderohet si themelore në punën e tyre. Në këtë mënyrë bashkëveprimi me qytetarët, organizatat e shoqërisë civile por edhe median do të sillte forcimin e kulturës së hapjes, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, përkundrejt mentalitetit të vjetëruar të hermetizmit të administratës publike.

  1. Indeksi i transparencës proaktive të institucioneve qendrore dhe të varësisë
  2. Indeksi i transparencës proaktive të njësive të vetëqeverisjes vendore