REGJISTRI I KËRKESAVE DHE PËRGJIGJEVE 2025
Nr. Rendor | Data e kërkesës | Objekti i kërkesës | Data e përgjigjes | Përgjigje | Mënyra e përfundimit të kërkesës | Tarifa |
---|---|---|---|---|---|---|
01 | 14.01.2025 | Informacion mbi rastet e keqpërdorimit të të dhënave personale të gazetarëve si dhe ankesat apo denoncime nga gazetarë apo punonjës të mediave lidhur me mos aksesin në informacion për periudhën kohore 1 janar 2024 - 31 dhjetor 2024. | 20.01.2025 | Bashkëlidhur përgjigja nr. 1 | E plotë | Nuk ka |
02 | 21.01.2025 | Informacion mbi ankesat dhe hetimet administrative të zhvilluara në rastin e sulmit kibernetik. | 04.02.2025 | Bashkëlidhur përgjigja nr. 2 | E plotë | Nuk ka |
03 | 27.01.2025 | Informacion mbi ankesat nga gazetarë apo ojf lidhur me mos aksesin në informacion për periudhën kohore 1 janar 2024 - 31 dhjetor 2024. | 30.01.2025 | Bashkëlidhur përgjigja nr. 3 | E plotë | Nuk ka |
04 | 30.01.2025 | Informacion mbi menyrën e paraqitjes së ankesës pranë Zyrës së Komisionerit dhe afatet e përgjigjes. | 04.02.2025 | Bashkëlidhur përgjigja nr. 4 | E plotë | Nuk ka |
05 | 31.01.2025 | Sa është numri i institucioneve që nuk e kanë publikuar programin e transparencës në faqen e tyre zyrtare? Cilat janë institucionet publike? Cilat janë standardet e vendosura nga Zyra e Komisionerit për publikimin e regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve? Cilat institucione nuk e kanë zbatuar? | 11.02.2025 | Në lidhje me kërkesën tuaj për informacion ju informojmë se bazuar në nenin 6 të ligjit nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale miraton dhe shpërndan modele të programeve të transparencës për kategori të ndryshme të autoriteteve publike. Për sa më sipër, është miratuar Urdhri nr. 211/ 2018 “Për Miratimin e Programit Model të Transparencës për Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore” https://idp.al/wp-content/uploads/2024/03/Programi_Model_i_Transparences_per_njesit_e_vetqeverisjes_vendore.pdf i cili është i zbatueshëm për Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore si dhe dhe Urdhri nr. 187/2020 “Për Miratimin e Programit të Transparencës të Rishikuar”, i ndryshuar https://idp.al/wp-content/uploads/2024/02/Urdher_nr.187.pdf i cili është i zbatueshëm për të gjithë autoritetet publike me përjashtim të njësive të vetëqeverisjes vendore. Në mbështetje të nenit 8 të ligjit nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar i cili përcakton se Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vendos standarde për formatin dhe përmbajtjen e regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve, është miratuar Urdhri nr. 188/2020 “Për Miratimin e Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve të Rishikuar”, i ndryshuar, https://idp.al/wp-content/uploads/2024/02/Urdher_nr.188.pdf . Aktualisht, Zyra e Komisionerit është duke përpunuar të dhënat e monitorimit të programeve të transparencës dhe regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve të cilat do të publikohen në raportin vjetor të punës të Zyrës së Komisionerit për vitin 2024. | E plotë | Nuk ka |
06 | 05.02.2025 | Kërkoj informacion nga ana juaj në lidhje me ankesat nga gazetarët, OJQ , avokatët apo të tjerë që janë drejtuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit, në lidhje me mungesën e transparencës (mos marrjen e informacionit) nga ana e Kryeministrisë dhe Qeverisë për periudhën 2014-2024. | 17.02.2025 | Në lidhje me kërkesën tuaj për informacion ju informojmë se Zyra e Komisionerit është autoriteti i pavaruar i cili monitoron dhe mbikëqyr zbatimin e legjislacionit për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Në lidhje me zbatimin e ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, gjatë viteve 2014 -2024, Zyra e Komisionerit ka administruar 7832 ankesa me objekt “Refuzim për dhënie informacioni dhe kopje të dokumenteve zyrtare”. Për aq sa mund të identifikohet, rezultojnë 1620 ankesa ndaj autoriteteve publike të kërkuar prej jush në total. Për më shumë informacion mund të konsultoni raportet vjetore të Zyrës së Komisionerit të publikuar në faqen zyrtare https://idp.al/raporte-vjetore/ . | E plotë | Nuk ka |
07 | 25.03.2025 | A jane zhvilluar procedura hetimore administratice lidhur me perpunimin e te dhenave personale nga platforma Tiktok? Nese po, a jane marre vendime ose rekomandime lidhur me perpunimin e te dhenave personale nga platforma Tiktok? Nese ka dokumentacion perkates, lutemi te na vendosni ne dispozicion kopje te tyre? | 27.03.2025 | Në lidhje me kërkesën tuaj për informacion ju informojmë se Zyra e Komisionerit nuk ka zhvilluar procedura hetimore administrative lidhur me përpunimin e të dhënave personale nga platforma Tik Tok. Në këtë kuadër, nuk ka vendime ose rekomandime lidhur me përpunimin e të dhënave personale nga kjo platformë. Për sa i përket vendimmarrjes së Zyrës së Komisionerit në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale mund të konsultoheni në lidhjen: https://idp.al/hetimi-administrativ/ . | E plotë | Nuk ka |
08 | 03.04.2025 | A ka qenë KDIMDP i informuar ose i konsultuar mbi vendosjen e pajisjeve Deep Packet Inspection (DPI) në rrjetet e operatorëve të komunikimeve elektronike në Shqipëri? A është kryer ndonjë vlerësim i ndikimit në mbrojtjen e të dhënave personale për këto pajisje? Nëse po, a mund të vihet në dispozicion raporti përkatës? Cilat janë garancitë ligjore dhe teknike për të siguruara që të dhënat e përpunuara nga këto pajisje nuk cënojnë të drejtat e privatësisë së qytetarëve dhe janë në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale? A ka ndërmarrë institucioni juaj ndonjë hetim ose monitorim mbi mënyrën se si operatorët e telekomunikacionit po e zbatojnë përdorimin e këtyre pajisejeve dhe mbi transparencën e tyre ndaj abonentëve? | 08.04.2025 | Fillimisht, ju bëjmë me dije se Zyra e Komisionerit është autoriteti përgjegjës, i pavarur që mbikëqyr dhe monitoron, në përputhje me ligjin nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” (në vijim, “Ligji”), mbrojtjen e të dhënave personale, nga kontrolluesit publikë dhe privatë që veprojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Në vijim, do të gjeni përgjigjet që lidhen me fushën e veprimtarisë së Zyrës së Komisionerit. Referuar pyetjes “A është kryer ndonjë vlerësim i ndikimit në mbrojtjen e të dhënave personale për këto pajisje? Nëse po, a mund të vihet në dispozicion raporti përkatës?”, ju informojmë se: Neni 31, pika 1 e Ligjit në lidhje me “Vlerësimin e ndikimit në mbrojtjen e të dhënave”, përcakton se është detyrim i kontrolluesit që kur një lloj përpunimi, veçanërisht përpunimi duke përdorur teknologji të re, bazuar në natyrën, objektin, kontekstin dhe qëllimet e përpunimit, mund të shkaktojë një rrezik të lartë të cenimit të të drejtave dhe lirive themelore të individëve, përpara se të fillojë përpunimin, duhet të kryejë vlerësimin e ndikimit të veprimeve të parashikuara të përpunimit mbi mbrojtjen e të dhënave personale. Ndërkohë, pika 2 e nenit 101 të Ligjit përcakton se ky detyrim hyn në fuqi 2 (dy) vjet pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare, në janar 2027. Referuar pyetjes“Cilat janë garancitë ligjore dhe teknike për të siguruar që të dhënat e përpunuara nga këto pajisje nuk cenojnë të drejtat e privatësisë së qytetareve dhe janë në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale?”, ju informojmë se: Bazuar në pikën 3 të nenit 5 të ligjit, “E dhënë personale” konsiderohet çdo informacion në lidhje me një subjekt të dhënash dhe “Subjekt i të dhënave” është çdo person fizik i identifikuar ose i identifikueshëm. Një person është i identifikueshëm nëse mund të arrihet në identifikimin e tij, duke iu referuar drejtpërdrejt ose tërthorazi një apo disa faktorëve identifikues të veçantë, si: emri, numri i identifikimit, të dhënat për vendndodhjen, një identifikues në internet, ose një apo më shumë faktorëve specifikë, lidhur me identitetin e tij fizik, fiziologjik, identitetin gjenetik, mendor, ekonomik, kulturor ose shoqëror. Bazuar në pikën 16 “Përpunim” është çdo veprim ose një grup veprimesh, që kryhet mbi të dhënat personale ose grupe të dhënash personale, pavarësisht nëse kryhen me mjete të automatizuara ose jo, të tilla, si: mbledhja, regjistrimi, organizimi, strukturimi, ruajtja, përshtatja ose ndryshimi, rikthimi, konsultimi, përdorimi, përhapja me anë të transmetimit, shpërndarjes ose vënies në dispozicion në ndonjë mënyrë tjetër, lidhja ose kombinimi, kufizimi, fshirja ose shkatërrimi. Legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale e parashikon si përgjegjësi të kontrolluesit (në kuptim të pikës 8, neni 5 i Ligjit, kontrollues është çdo person fizik, juridik ao autoritet publik, i cili vetëm ose së bashku me të tjerët përcaktojnë qëllimet dhe mjetet e përpunimit të të dhënave personale), që për çdo proces përpunimi që kryen gjatë ushtrimit të aktivitetit, të marrë masa që të jetë në përputhje me parimet dhe kriteret ligjore të përpunimit të të dhënave, të parashikuara në nenet 6 dhe 7 të Ligjit, përfshirë dhe përdorimin e mjeteve teknologjike të ndryshme gjatë proceseve përpunuese. Gjithashtu, bazuar në nenin 28 të Ligjit, është detyrë e kontrolluesit që, duke marrë parasysh zhvillimet teknologjike, kostot e zbatimit dhe natyrën, fushën e zbatimit, kontekstin dhe qëllimet e përpunimit, si dhe mundësinë e shfaqjes e përshkallëzimit të rrezikut për të drejtat dhe liritë e personave fizikë, të zbatojë masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm ndaj rrezikut, duke përfshirë, ndër të tjera, kur është e zbatueshme: a) pseudonimizimin dhe enkriptimin e të dhënave personale; b) aftësinë për të garantuar konfidencialitetin, integritetin, disponueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemeve dhe të shërbimeve të përpunimit; c) aftësinë për të rivendosur disponueshmërinë dhe aksesin në të dhënat personale brenda një kohe të arsyeshme në rast incidenti fizik ose teknik; ç) një proces për testimin, shqyrtimin dhe vlerësimin e rregullt të efikasitetit të masave teknike dhe organizative për të garantuar sigurinë e përpunimit. Në vlerësimin e nivelit të përshtatshëm të sigurisë merren parasysh veçanërisht rreziqet që shkaktohen nga përpunimi, specifikisht, nga shkatërrimi aksidental ose i paligjshëm, humbja, ndryshimi, përhapja e paautorizuar ose aksesi në të dhënat personale të transmetuara, të ruajtura ose të përpunuara në çfarëdolloj mënyre. Referuar pyetjes “A ka ndërmarrë institucioni juaj ndonjë hetim ose monitorim mbi mënyrën se si operatoret e telekomunikacioneve po zbatojnë përdorimin e këtyre pajisjeve dhe mbi transparencën e tyre nga abonentëve?”, ju informojmë se: Zyra e Komisionerit, ndjek një plan lidhur me verifikimin e zbatimit të detyrimeve ligjore për përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale nga kontrolluesit në të gjithë Republikën e Shqipërisë, por do të ketë në vëmendje për të ushtruar mbikëqyrje/monitorim lidhur me zbatimin e detyrimeve ligjore mbi përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale nga kontrollues që operojnë në sektorin e Operatorëve të Komunikimeve Elektronike (ISP - Internet Service Providers). Njëkohësisht, ju inkurajojmë që në rast se dispononi prova, për përpunimin e paligjshëm dhe cenim të sigurisë së të dhënave personale gjatë përdorimit të teknologjive DPI nga kontrolluesit (Operatorëve të Komunikimeve Elektronike ISP - Internet Service Providers), ti depozitoni pranë Zyrës së Komisionerit ku do të trajtohen në përputhje me parashikimet e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. | E plotë | Nuk ka |
09 | 04.04.2025 | A ka ndonjë vlerësim të ndikimit në privatësi (DPIA) të realizuar përpara aplikimit të kësaj teknologjie dhe a është përfshirë Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në këtë process? | 08.04.2025 | Fillimisht, ju bëjmë me dije se Zyra e Komisionerit është autoriteti përgjegjës, i pavarur që mbikëqyr dhe monitoron, në përputhje me ligjin nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” (në vijim, “Ligji”), mbrojtjen e të dhënave personale, nga kontrolluesit publikë dhe privatë që veprojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Në vijim, do të gjeni përgjigjen që lidhet me fushën e veprimtarisë së Zyrës së Komisionerit. Referuar pyetjes suaj “A ka ndonjë vlerësim të ndikimit në privatësi (DPIA) të realizuar përpara aplikimit të teknologjisë DPI dhe a është përfshirë Zyra e Komisionerit në këtë proces”, ju informojmë se: Neni 31, pika 1 e Ligjit në lidhje me “Vlerësimin e ndikimit në mbrojtjen e të dhënave”, përcakton se është detyrim i kontrolluesit që kur një lloj përpunimi, veçanërisht përpunimi duke përdorur teknologji të re, bazuar në natyrën, objektin, kontekstin dhe qëllimet e përpunimit, mund të shkaktojë një rrezik të lartë të cenimit të të drejtave dhe lirive themelore të individëve, përpara se të fillojë përpunimin, duhet të kryejë vlerësimin e ndikimit të veprimeve të parashikuara të përpunimit mbi mbrojtjen e të dhënave personale. Ndërkohë, pika 2 e nenit 101 të Ligjit përcakton se ky detyrim hyn në fuqi 2 (dy) vjet pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare, në janar 2027. Ndërkohë në bazë të Nenit 32 të Ligjit, në lidhje me“Konsultimin paraprak”, nëse pas vlerësimit të ndikimit në mbrojtjen e të dhënave, kontrolluesi arrin në përfundimin se në mungesë të masave që zvogëlojnë ose eliminojnë rrezikun, përpunimi përbën rrezik të lartë për cenimin e të drejtave dhe të lirive themelore, mund të ushtrojë të drejtën e konsultimit paraprak me Komisionerin. Zyra e Komisionerit ju informon se legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale e parashikon si përgjegjësi të kontrolluesit (në kuptim të pikës 8, neni 5 i Ligjit, kontrollues është çdo person fizik, juridik apo autoritet publik, i cili vetëm ose së bashku me të tjerët përcaktojnë qëllimet dhe mjetet e përpunimit të të dhënave personale), që për çdo proces përpunimi që kryen gjatë ushtrimit të aktivitetit, të marrë masa që të jetë në përputhje me parimet dhe kriteret ligjore të përpunimit të të dhënave, të parashikuara në nenet 6 dhe 7 të Ligjit, përfshirë dhe përdorimin e mjeteve teknologjike të ndryshme gjatë proceseve përpunuese. Gjithashtu, bazuar në nenin 28 të Ligjit, është detyrë e kontrolluesit që, duke marrë parasysh zhvillimet teknologjike, kostot e zbatimit dhe natyrën, fushën e zbatimit, kontekstin dhe qëllimet e përpunimit, si dhe mundësinë e shfaqjes e përshkallëzimit të rrezikut për të drejtat dhe liritë e personave fizikë, të zbatojë masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm ndaj rrezikut, duke përfshirë, ndër të tjera, kur është e zbatueshme: a) pseudonimizimin dhe enkriptimin e të dhënave personale; b) aftësinë për të garantuar konfidencialitetin, integritetin, disponueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemeve dhe të shërbimeve të përpunimit; c) aftësinë për të rivendosur disponueshmërinë dhe aksesin në të dhënat personale brenda një kohe të arsyeshme në rast incidenti fizik ose teknik; ç) një proces për testimin, shqyrtimin dhe vlerësimin e rregullt të efikasitetit të masave teknike dhe organizative për të garantuar sigurinë e përpunimit. Në vlerësimin e nivelit të përshtatshëm të sigurisë merren parasysh veçanërisht rreziqet që shkaktohen nga përpunimi, specifikisht, nga shkatërrimi aksidental ose i paligjshëm, humbja, ndryshimi, përhapja e paautorizuar ose aksesi në të dhënat personale të transmetuara, të ruajtura ose të përpunuara në çfarëdolloj mënyre. Njëkohësisht, ju inkurajojmë që në rast se dispononi prova, për përpunimin e paligjshëm dhe cenim të sigurisë së të dhënave personale gjatë përdorimit të teknologjive DPI nga kontrolluesit (Operatorëve të Komunikimeve Elektronike ISP - Internet Service Providers), ti depozitoni pranë Zyrës së Komisionerit ku do të trajtohen në përputhje me parashikimet e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. | E plotë | Nuk ka |
10 | 10.04.2025 | Kopje të korrespondencës midis Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe Zyrës së Komisionerit lidhur me përdorimin e teknologjisë DPI (Deep Packet Inspektion) për shmangien e ndikimeve negative të platformës online Tik Tok. | 15.04.2025 | Bashkëlidhur përgjigjia nr.10 | E plotë | Nuk ka |
11 | 14.04.2025 | Numri i ankesave që ka marrë Zyra e Komisionerit për vitet 2022- 2024 në zbatim të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar. Masat që merr Zyra e Komisionerit në rast se një institucion publik refuzon të japë informacion. Hartimin e ndonjë udhëzimi apo raport vlerësimi mbi transparencën e institucioneve publike për vitin 2024. | 16.04.2025 | Në lidhje me pyetjen e parë, mbi numrin e ankesave që ka marrë Zyra e Komisionerit për vitet 2022- 2024 në zbatim të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar (në vijim LDI), ju informojmë se: Për vitin 2022 janë administruar 1032 ankesa; Për vitin 2023 janë administruar 956 ankesa; Për vitin 2024 janë administruar 939 ankesa. Në lidhje me ecurinë e trajtimit të ankesave, informacion më të detajuar mund të gjeni në raportet vjetore të Zyrës së Komisionerit të publikuara në faqen zyrtare https://idp.al/raporte-vjetore/. Në lidhje me pyetjen e dytë mbi masat që merr Zyra e Komisionerit në rast se një institucion publik refuzon të japë informacion, neni 9/1 i LDI përcakton kompetencat e Zyrës së Komisionerit në fushën e të drejtës për informim. Konkretisht në këtë nen parashikohet se: Komisioneri ushtron kompetencat e mëposhtme: a) shqyrton ankesat e personave të cilët pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e tyre të parashikuara në këtë ligj; b) shqyrton ankesat e personave në lidhje me funksionimin e programeve të transparencës në autoritetet publike; c) kryen hetim administrativ kryesisht ose me ankesë gjatë ushtrimit të kompetencave të tij; ç) njihet dhe ka akses në informacionin dhe dokumentet, objekt ankimi, sipas këtij ligji apo që lidhen me çështjen në shqyrtim, duke përfshirë edhe informacionet e klasifikuara. Në këto raste, ai është i detyruar të zbatojë masat për ruajtjen e informacionit të klasifikuar sipas ligjit nr.10/2023 “Për informacionin e klasifikuar”; d) ka të drejtën t’i kërkojë autoritetit të klasifikimit deklasifikimin e një informacioni të klasifikuar kur çmon që publikimi i tij diktohet nga interesa më të rëndësishme shtetërore sesa nevoja për ta mbajtur atë të klasifikuar, në përputhje me ligjin nr.10/2023 “Për informacionin e klasifikuar”. Për njohjen me informacionin e klasifikuar të NATO-s ose BE-së zbatohen rregullat për deklasifikimin e informacionit të klasifikuar të NATO-s dhe BE-së; dh) vendos sanksione administrative sipas parashikimeve të këtij ligji; e) nxit transparencën e autoriteteve publike, veçanërisht duke sensibilizuar dhe informuar për çështje të së drejtës së informimit; ë) kryen sondazhe mbi baza vjetore në lidhje me çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me të drejtën e informimit; f) bën rekomandime për autoritetet publike lidhur me konceptimin dhe zbatimin e programeve institucionale të transparencës; g) me kërkesë të gjykatës që shqyrton çështjen, parashtron mendim me shkrim për çfarëdolloj çështjeje që lidhet me të drejtën e informimit; gj) kryen trajnime të nevojshme dhe të vazhdueshme të koordinatorëve për të drejtën e informimit, të punonjësve të autoriteteve publike, si dhe grupeve të interesit; h) kur arrin në përfundimin se janë shkelur dispozitat e këtij ligji, njofton autoritetin publik për rezultatet e hetimit administrativ dhe, sipas rastit, propozon marrjen e masave disiplinore ndaj nëpunësit përgjegjës. Në lidhje me pyetjen e tretë, mbi hartimin e ndonjë udhëzimi apo raport vlerësimi mbi transparencën e institucioneve publike për vitin 2024, Zyra e Komisionerit ka publikuar Indeksin e Transparencës së Institucioneve Qendrore dhe të Varësisë 2024 dhe Indeksin e Transparencës së Njësive të Vetëqeverisjes Vendore 2024 si dhe Raportin Vjetor 2024 të cilat i gjeni të publikuara në lidhjet e mëposhtme: https://idp.al/raporte-monitorimi-te-transparences-2024/ https://idp.al/wp-content/uploads/2025/04/Raporti-Vjetor-viti-2024.pdf | E plotë | Nuk ka |
12 | 18.04.2025 | Kërkesë e njëjtë me kërkesën nr.10 | 23.04.2025 | Përgjigje e njëjtë me përgjigjen nr. 10. | E plotë | Nuk ka |
13 | 22.04.2025 | A janë paraqitur pranë Zyrës së Komisionerit, ankesa që lidhen me procesin zgjedhor parlamentar 2025 (përfshirë fushatat, administrimin e të dhënave të votuesve, apo cështje të tjera të ndërlidhura me të dhënat personale në këtë kontekst). | 29.04.2025 | Në lidhje me kërkesën tuaj, nëse janë paraqitur pranë Zyrës së Komisionerit, ankesa që lidhen me procesin zgjedhor parlamentar 2025 (përfshirë fushatat, administrimin e të dhënave të votuesve, apo cështje të tjera të ndërlidhura me të dhënat personale në këtë kontekst), ju informojmë se nuk është administruar asnjë ankesë. | E plotë | Nuk ka |
14 | 05.05.2025 | A janë paraqitur pranë Zyrës së Komisionerit, ankesa nga qytetarë gjatë viteve 2024-2025 që lidhen me përhapjen e të dhënave të tyre personale nga kompanitë e telekomunikacionit ndaj palëve të treta për qëllime marketingu? | 07.05.2025 | Ju informojmë se nuk është administruar asnjë ankesë me këtë objekt gjatë viteve 2024 -2025. | E plotë | Nuk ka |
15 | 09.05.2025 | A ka kryer hetime administrative Zyra e Komisionerit në fushën e telekomunikacionit? Po hetime në lidhje me përgjimet e aplikacioni SKY, Encrochat? | 20.05.2025 | Zyra e Komisionerit kryhen hetime administrative kryesisht (ex-officio) dhe në bazë të ankesave të adresuara nga subjektet e të dhënave, në zbatim të ligjit 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Në fushën e telekomunikacionit, Zyra e Komisionerit ka zhvilluar disa hetime administrative dhe vendimmarrjen përkatëse e gjeni në lidhjet e mëposhtme: https://idp.al/hetimi-administrativ-vendime/;https://idp.al/hetimi-administrativ-rekomandime/ Lidhur me pyetjen e dytë, sqarojmë se, Zyra e Komisionerit nuk ka administruar dhe trajtuar ankesa individuale nga subjekte të dhënash, ku objekt i të cilës të jetë cenimi i të dhënave personale, lidhur me përgjimet nga aplikacioni SKY, Encrochat, të publikuara në media. Në zbatim të detyrimeve ligjore, Zyra e Komisionerit mbetet e angazhuar dhe e hapur nëse zotëroni informacion dhe prova shtesë për trajtimin e rasteve përkatëse, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. | E plotë | Nuk ka |
16 | 26.05.2025 | Kopje e Urdhrit të Komisionerit apo Udhëzimit që përcakton kohën e ruajtjes së të dhënave penale për shtesasit e dënuar në regjistrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe afati i mbajtjes së dosjeve të tyre. | 30.05.2025 | Referuar kërkesës tuaj, ju bëjmë me dije se udhëzimi i vetëm që ka nxjerr Zyra e Komisionerit në fushën penale është: “Udhëzimin Nr. 17 datë 11.05.2012 mbi “Përcaktimin e kohës së mbajtjes së të dhënave personale që përpunohen në sistemet elektronike, nga organet e policisë së shtetit për qëllime parandalimi, hetimi, zbulimi dhe ndjekje të veprave penale” e gjeni në lidhjen e mëposhtme: https://idp.al/wpcontent/uploads/2024/02/udhezim_nr_17_date_11_5_2012.pdf | E plotë | Nuk ka |
17 | 14.07.2025 | Informacion mbi aktin nënligjor (Urdhër, Udhëzim) të miratuar bashkë më Ministrinë e Brendshme në zbatim të dispozitave të ligjit nr. 82/2024 "Për Policinë e Shtetit", lidhur me mënyrën e organizimit dhe të administrimit të të dhënave të mbledhura gjatë veprimtarisë policore. Informacion në lidhje me Udhëzimin nr. 17 datë 11.05.2012 me titull "Mbi përcaktimin e kohës së mbajtjes së të dhënave personale që përpunohen në sistemet elektronike, nga organet e policisë së shtetit për qëllime parandalimi, hetime, zbulimi dhe ndjekje të veprave penale. | 18.07.2025 | Zyra e Komisionerit në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe strukturat përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë finalizuar draftin e udhëzimit të përbashkët “Për përpunimin e të dhënave gjatë procesit të ndalimit të përkohshëm policor, ndalimit dhe arrestimit të personit”, hartuar në zbatim të pikës 3, të nenit 36 të ligjit nr.82/2024, ku parashikohet se:“Mënyra e organizimit dhe administrimit të të dhënave të mbledhura në rastet e ndalimit të përkohshëm policor, ndalimit ose arrestimit të personave, afati i ruajtjes, kontrolli dhe fshirja e tyre përcaktohet me urdhër të përbashkët të ministrit dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”. Ky akt pritet të miratohet së shpejti. Gjithashtu, ligji nr. 82/2024, parashikon detyrimin për hartimin e një udhëzimi të përbashkët në zbatim të pikës 2, të nenit 38, ku citohet se: “Rregullat e trajtimit të të dhënave personale të mbledhura nga policia, të administrimit e të shpërndarjes së tyre përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”. Ju bëjmë me dije se edhe ky akt është në proces hartimi nga ana e grupit të punës. Ndër të tjera sqarojmë, se prej datës 1 shkurt 2025, ka hyrë në fuqi ligji nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Në zbatim të këtij ligji, do të miratohen edhe aktet e reja nënligjore të cilat do të ndryshojnë apo shfuqizojnë aktet e mëparshme të Komisionerit, që gjenden të publikuara në faqen zyrtare të institucionit. Sa i përket udhëzimit nr. 17, datë 11.05.2012 të Komisionerit mbi “Përcaktimin e kohës së mbajtjes së të dhënave personale që përpunohen në sistemet elektronike, nga organet e Policisë së Shtetit për qëllime parandalimi, hetimi, zbulimi dhe ndjekje të veprave penale”, të cilin ju e citoni në kërkesën tuaj, sqarojmë se ky akt nënligjor ka fuqi juridike deri në shfuqizimin e tij me një akt të mëvonshëm. Së fundmi, lidhur me publikimin dhe përditësimin e akteve të ndryshme nënligjore, sugjerojmë të konsultoheni vazhdimisht në faqen zyrtare të Zyrës së Komisionerit për ndryshimet e tyre, konkretisht në lidhjen https://idp.al/udhezime-mbrojtja/. | E plotë | Nuk ka |
18 | 21.07.2025 | Bazuar në pikat 4, 5 dhe 6 të nenit 10 të ligjit nr.119/2014 “Për të drejtën e Informimit” i ndryshuar, parashikohet se: Nëpunësi i emëruar si koordinator për të drejtën e informimit përveç pagës mujore të pozicionit në të cilin është emëruar, përfiton edhe një shtesë për natyrë të veçantë pune për punën e tij si koordinator për të drejtën e informimit. Shtesa për natyrë të veçantë pune përfitohet vetëm gjatë kohës që nëpunësi kryen edhe detyrat shtesë si koordinator për të drejtën e informimit. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim masën e shtesës për natyrë të veçantë pune dhe kriteret për përcaktimin e saj për koordinatorët e autoriteteve publike, struktura dhe niveli i pagave të nëpunësve të të cilëve përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, sipas legjislacionit në fuqi. Referuar pikës 6: Shtesa sipas pikës 4 të këtij neni për koordinatorët e autoriteteve publike, struktura dhe niveli i pagave të nëpunësve të të cilëve nuk përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, përcaktohet nga organi që sipas legjislacionit në fuqi përcakton strukturën dhe nivelin e pagave për nëpunësit e atyre autoriteteve, në kushtet kur nuk ka akte nënligjore të miratuara a ka ndonjë dokument që mund të shërbejë si bazë ligjore për përcaktimin e shtesës së kordinatorit për të drejtën e informimit, në njësinë e qeverisjes vendore dhe miratimin në Këshillin Bashkiak? Gjithashtu Vendimi nr. 328 datë 3.05.2023 i Këshillit të Ministrave “Për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page dhe caktimin e kufijve të pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar të nëpunësve civilë e të punojësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore”, i ndryshuar, nuk e ka të përcaktuar shtesën e pagës mujore për kordinatorin për të drejtën e informimit. | 01.08.2025 | Në pikat 4 dhe 5, të nenit 10, të ligjit nr. 119, datë 18.9.2014, “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, përcaktohet si vijon: “... 4. Nëpunësi i caktuar sipas pikës 1 të këtij neni, përveç pagës mujore të pozicionit në të cilin është emëruar, përfiton edhe një shtesë për natyrë të veçantë pune për punën e tij si koordinator për të drejtën e informimit. Shtesa për natyrë të veçantë pune përfitohet vetëm gjatë kohës që nëpunësi kryen edhe detyrat shtesë si koordinator për të drejtën e informimit. 5. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim masën e shtesës për natyrë të veçantë pune dhe kriteret për përcaktimin e saj për koordinatorët e autoriteteve publike, struktura dhe niveli i pagave të nëpunësve të të cilëve përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, sipas legjislacionit në fuqi.”. Referuar pikës 5, të sipërcituar, për përcaktimin e strukturës dhe nivelit të pagave, sipas legjislacionit në fuqi, nga Këshilli i Ministrave, për të punësuarit e njësive të vetëqeverisjes vendore, sqarojmë se në shkronjën “ç”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr. 35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar përcaktohet se: “2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e zëvendëskryeministrit ose të ministrit nën përgjegjësinë e të cilit është Departamenti i Administratës Publike, në rastin kur DAP-i është nën përgjegjësinë e një ministri, miraton: … ç) Klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore për efekt page dhe kufijtë maksimalë e minimalë të pagave për funksionarët e zgjedhur, të emëruar dhe të punësuarit e tjerë në njësitë e vetëqeverisjes vendore.” Siç edhe jeni në dijeni, detyrimin ligjor sa më sipër, Këshilli i Ministrave e ka realizuar nëpërmjet miratimit të vendimit nr. 328, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page, dhe caktimin e kufijve të pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar, të nëpunësve civilë e të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar. Në këtë vendim janë përcaktuar si kategoritë dhe klasat për pozicionet e punës, ashtu edhe elementet përbërëse të pagës bruto mujore (pra struktura e pagës) dhe kufijtë minimalë dhe maksimalë të pagave, për funksionarët dhe të punësuarit në njësitë e vetëqeverisjes vendore. Brenda kufijve të pagave për çdo grup të njësive të vetëqeverisjes vendore, të miratuara nga Këshilli i Ministrave, këshillat e njësive të vetëqeverisjes vendore, në zbatim të shkronjës “a”, të nenit 9, të ligjit nr. 35/2023, të sipërcituar, miratojnë vlerën e pagës për çdo funksion të zgjedhur, të emëruar dhe për çdo të punësuar tjetër. Kjo kompetencë konkretizohet edhe në pikën 8, të VKM-së nr. 328/2023, të sipërcituar ku përcaktohet: “8. Këshilli i qarkut dhe këshilli i bashkisë miratojnë vlerën e pagës, brenda kufijve të pagave, për çdo funksion të zgjedhur, të emëruar dhe për çdo të punësuar të përcaktuar, përkatësisht, në lidhjet nr. 1 deri nr. 8, që i bashkëlidhen këtij vendimi.”. Për rrjedhojë, meqenëse struktura dhe niveli minimal dhe maksimal i pagave, të nëpunësve të njësive të vetëqeverisjes vendore miratohen nga Këshilli i Ministrave, në zbatim të pikës 5, të nenit 10, të ligjit nr. 119/2014, edhe masa e shtesës për natyrë të veçantë pune dhe kriteret për përcaktimin e saj për koordinatorët e njësive të vetëqeverisjes vendore, si autoritete publike, do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Ju bëjmë me dije se, si masa e shtesës për natyrë të veçantë pune, ashtu edhe kriteret për përcaktimin e saj për koordinatorët e autoriteteve publike, nuk janë miratuar ende nga Këshilli i Ministrave. | E plotë | Nuk ka |
19 | 22.07.2025 | Kopje të dokumentacionit të procedurës së prokurimit me objekt: mirëmbajtje riparim të automjetit të institucionit të KDIMDP me nr. reference REF - 53427-07-03-2025. | 28.07.2025 | Bashkëlidhur Procesverbali për përllogaritjen e fondit limit; Urdhër prokurimi; Urdhër per krijimin e komisionit me vlerë të vogël dhe sistemin dinamik për vitin 2025, i ndryshuar;Tabela e vlerësimit të ofertave dhe skedarët përkatës; Fatura Tatimore. Bashkëlidhësja nr.19 | E plotë | Nuk ka |