Qendra për Çështje të Informimit Publik prezantoi raportin e monitorimit të zbatimit të ligjit nr. 119/2014“Për të drejtën e informimit” nga Pushteti Vendor.
Në këtë aktivitet ishte i ftuar dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi. Në fjalën e tij, ai vlerësoi angazhimin e organeve të reja të qeverisjes vendore, pas zbatimit të Reformës Administrativo-Territoriale, për përmbushjen e detyrimeve të ligjit “Për të drejtën e informimit”. Z. Dervishi tha se Zyra e Komisionerit, është duke vazhduar një tur trajnimesh në qarqe, deri tani janë organizuar 4 takime të tilla, me titullarët dhe koordinatorët e këtyre strukturave, si dhe me përfaqësuesit e institucioneve qendrore në nivel vendor.
Paralelisht me monitorimin proaktiv që Zyra e Komisionerit u bën të gjitha Autoriteteve Publike, i asiston ato në procesin e trajtimit të kërkesave për informacion dhe në hartimin dhe publikimin e Programit të Transparencës. Gjithashtu, z. Dervishi, theksoi faktin se është shtuar numri i ankesave nga të gjitha qarqet e vendit, jo vetëm nga ai i Tiranës, çka nënkupton njohuri në rritje për ligjin nga qytetarët dhe garancitë që ai ofron në ushtrimin e të drejtës kushtetuese për informim. Nga ana tjetër, ende një numër i madh i njësive të qeverisjes vendore nuk i kanë përmbushur detyrimet e ligjit, si hartimin e Programit të Transparencës, regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve dhe caktimin e koordinatorit për të drejtën e infomimit.