Edukimi digjital, njohja me parimet e privatësisë

Krijimi i mjedisit të sigurt digjital është ndër sfidat kryesore ku kontribuojnë edhe Autoritetet e Mbrojtjes së të Dhënave Personale për edukimin e shëndetshëm të brezit të ri. Miratimi i “Kuadrit të aftësimit të mësuesve të shkollave 9-vjeçare për mbrojtjen e të dhënave personale” në Konferencën e 38-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (ICDPPC), i hartuar nga Grupi i Punës për Edukimin Digjital (DEWG), ka hedhur bazat për një aksion gjithëpërfshirës në shkallë botërore, në mënyrë që ky dokument të jetë pjesë e kurrikulës së arsimit të detyrueshëm.

Raporti i Grupit të Punës për periudhën 2016-2017 ka theksuar angazhimin e shumë Autoriteteve, mes të cilave edhe të Zyrës së Komisionerit, të cilat janë duke punuar në këtë drejtim. Është konsideruar si sukses përkthimi i “Kuadrit të aftësimit” në 6 gjuhë të tjera të ndryshme, mes tyre edhe në shqip (dokumenti origjinal: në anglisht dhe në frëngjisht). Ndërsa, vlerësohet se partneriteti me institucionet e specializuara – ministritë e Arsimit, Inovacionit apo Strategjisë Digjitale, është i rëndësishëm jo vetëm për përfshirjen e “Kuadrit” në kurrikul, por edhe për të optimizuar burimet e nevojshme në trajnimin e mësuesve. Në raport, theksohet edhe puna që kanë bërë Autoritetet e Mbrojtjes së të Dhënave për promovimin e këtij dokumenti në faqet e tyre zyrtare, apo në zhvillimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese nëpër shkolla. Aktualisht, Zyra e Komisionerit është duke zhvilluar fushatën “Privatësi dhe Siguri” për të konsultuar “Kuadrin e aftësimit” me mësues e psikologë të arsimit të detyrueshëm nëpër qytete të ndryshme të vendit.

Grupi i Punës për Edukimin Digjital i krijuar në vitin 2013, ku dhe Zyra e Komisionerit është anëtare, bashkëdrejtohet nga Autoritetet e Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Francës dhe Kanadasë. Ky forum i Konferencës Ndërkombëtare ka për qëllim diskutimin dhe shkëmbimin e praktikave më të mira që promovojnë edukimi digjital në grupmoshat parauniversitare.

Raporti i Grupit të Punës për Edukimin Digjital për periudhën 2016-2017 (shqip) (anglisht)

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë