Njohje, ndërgjegjësim dhe edukim për mbrojtjen e të dhënave personale

Mbrojtja e të dhënave personale, si një e drejtë dhe liri themelore e individit, është në rradhë të parë kulturë e kultivuar nëpërmjet njohjes, ndërgjegjësimit dhe edukimit për ushtrimin e saj në praktikë.

Në kuadër të aktiviteteve për Javën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe në vigjilje të 28 Janarit, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Kolegjin Universitar të Biznesit zhvilluan një takim në formën e një leksioni të hapur. Të pranishëm ishin studentë dhe staf akademik e administrativ nga ky institucion i arsimit të lartë (IAL) jo publik. Në përshëndetjen e rastit, Komisioneri, z. Besnik Dervishi, tha se takime të tilla janë kthyer në traditë ndër vite me IAL publike e private. Ndërsa, theksoi se “për shkak të zhvillimit teknologjik dhe digjitalizimit të shumë veprimtarive, rreziku i keqpërdorimit të të dhënave personale është shtuar në mënyrë të vazhdueshme. Ndaj, domosdoshmëria për mbrojtjen e tyre nis nga vetë ne si qytetarë, por duhet kërkuar edhe zbatimi i plotë i detyrimeve rregullatore për parandalimin e dëmeve nga të gjithë kontrolluesit që mbledhin dhe përpunojnë të dhënat tona personale”.

Prezantimin mbi legjislacionin në fuqi dhe për modernizimin e tij sipas standardeve të Rregullores së Përgjithshshme të Mbrojtjes së të Dhënave Personale në Bashkimin Evropian (GDPR), e mbajti znj. Pjerina Gaxha – Drejtor i Përgjithshëm i Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Nëpërmjet edhe shembujve nga praktika, të pranishmit u njohën në tërësi me parimet dhe kriteret; të drejtat e qytetarëve; detyrimet e kontrolluesve/përpunuesve për marrjen e masave tekniko-organizative; sigurinë e të dhënave apo sfidat kryesore në këtë fushë. Duke iu përgjigjur interesit të të pranishmëve, u ofruan këshilla praktike lidhur me sjelljen e individit në funksion të mbrojtjes së të dhënave personale, ndërsa u vlerësua se përgjegjshmëria e kontrolluesve/përpunuesve, si në sferën publike, ashtu edhe në atë private, do të rriste cilësinë e shërbimeve, sigurinë dhe transparencën e tyre.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë