3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

“Privatësia dhe siguria e të dhënave gjatë përdorimit të rrjeteve sociale nga të rinjtë”

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi me nxënësit dhe mësuesit e shkollave të mesme të përgjithshme të kryeqytetit gjatë periudhës shkurt-maj 2016 fushatën ndërgjegjësuese “Privatësia dhe siguria e të dhënave gjatë përdorimit të rrjeteve sociale nga të rinjtë”. Ky aktivitet u organizua me bashkëpunimin e Drejtorisë Arsimore të Tiranë dhe drejtoritë e gjimnazeve “Besnik Sykja”, “Sandër Prosi”, “Eqerem Çabej”, “Andon Zako Çajupi”, “Aleks Buda”, “Avdulla Keta”, “Myslym Keta”, “Sinan Tafaj”, “Arben Broci”, “Qemal Stafa”, “Partizani”, “Petro Nini Luarasi” dhe “Sami Frashëri”.

Stafi i Zyrës së Komisionerit në këto aktivitete informoi për aspekte të ndryshme të përdorimit të sigurt të internetit dhe rrjeteve të ndryshme sociale. Gjatë bashkëbisedimit u trajtuan raste konkrete të keqpërdorimit të të dhënave personale nga vetë të rinjtë. Gjithashtu, ata u informuan edhe për mjetet e mënyrat për të shmangur shkeljen e privatësisë dhe për mbrojtjen e të dhënave personale.

Nxënësit u treguan mjaft aktivë në plotësimin edhe të një pyetësori të përgatitur për të identifikuar shkallën dhe problematikat e përdorimit të rrjeteve të sociale. Rezultatet e tij janë me rëndësi për stafin e Zyrës së Komisionerit, për të kuptuar prirjet e të rinjve në këtë fushë, si dhe nevojën e edukimit dhe ndërgjegjësimit të tyre akoma edhe më të madh për ruajtjen e privatësisë dhe të dhënave personale. Stafi i Zyrës së Komisionerit do ta shtrijë këtë iniciativë edhe në shkollat e tjera të mesme të vendit.